E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i BE-së, Brukseli përgatitet për të pritur anëtarët e rinj

Ndërsa vendet aplikante për anëtarësim në BE përgatiten për t’iu bashkuar bllokut, institucionet evropiane duhet të përgatiten gjithashtu për të pritur anëtarët e rinj. Drejtoresha e shërbimeve të përkthimit të Parlamentin Evropian Marijana Nikolic shpjegon se përgatitja me një vend kandidat dhe një ekipi të ri përkthyesish fillon vite para anëtarësimit, nëse shteti i ri sjell një gjuhë të re zyrtare në BE. Ajo kujton zgjerimin e fundit, kur u anëtarësua vendi i saj, Kroacia.

Blloku ka tashmë 24 gjuhë zyrtare dhe të gjitha fjalimet e mbajtura në seancat plenare duhet të përkthehen në secilën prej gjuhëve të tjera zyrtare. Një javë e vetme me seanca plenare mund të kërkojë shërbimet e gati 900 përkthyesve shumë të kualifikuar. Të gjitha institucionet e BE-së, përfshirë Parlamentin, Këshillin Evropian dhe Komisionin Evropian, do të duhet të përshtatin ekipet, shërbimet dhe zyrat e tyre, ndërsa mund të duhet të merret në konsideratë edhe një reformë politike.

Parlamenti Evropian ka rekomanduar reformimin e procesit të vendimmarrjes në përgatitje për zgjerimin, siç shpjegon Sandro Gozi, eurodeputet nga grupi politik “Renew”” dhe raportues i rezolutës mbi zgjerimin të miratuar nga Parlamenti Evropian në tetor 2025. Eurodeputetët votuan rezolutën duke kërkuar ndër të tjera, ndryshime në procesin e vendimmarrjes së BE-së për të shmangur bllokimet e ardhshme. Përshtatja e Brukselit, në rast të një zgjerimi të BE-së, shtrihet përtej institucioneve evropiane dhe 37 mijë punonjësve të tyre. Zgjerimi sjell gjithashtu gazetarë, lobistë, diplomatë dhe familjet e tyre në Bruksel, siç është kroatja Suzana Kulas.

Bashkëshorti i saj u punësua nga Komisioni në Bruksel pas zgjerimit me Kroacinë. Në Bruksel, 123 mijë deri në 160 mijë persona punojnë drejtpërdrejt ose indirekt për institucionet ndërkombëtare dhe shpesh duhet të vendosen në qytet bashkë me familjet e tyre. Kjo është një ndihmë ekonomike për kryeqytetin e Belgjikës, por edhe një sfidë, pasi kjo popullsi mund të hasë vështirësi për t’u integruar plotësisht në strukturën shoqërore dhe urbane të Brukselit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›