E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i autostradës, Karakaçi: Pas sezonit veror nis prishja e mbikalimit të Rinasit

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se punimet për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës po vijojnë me ritme të kënaqshme, ndërsa theksoi se pas sezonit veror nis prishja e mbikalimit të Rinasit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Karakaçi sqaroi se një mbikalim është duke u ndërtuar përballë një qendre tregtare, i cili do të krijojë mundësinë e kalimit të banorëve.

“Jemi krejtësisht të hapur që të ulemi dhe të shohim nëse ka nevojë shtesë për mbikalime, të ulemi me grupet e interesit dhe të shikojmë se cilat janë mundësitë. Ajo çfarë është e rëndësishme është që aty puna po ecën”, tha Karakaçi.

Ministri Karakaçi vuri në dukje se “kanë përfunduar 6 km e parë dhe çdo qytetar që kalon me automjet e konstaton që faza pasardhëse është në punime të avancuara”.

Më tej, Karakaçi bëri të ditur se plani është që duhet edhe të demolohet mbikalimi i Rinasit dhe të ndërtohet një mbikalim i ri që të krijojë hapësirën e katër korsive.

“E kemi të pamundur të punojmë për demolimin e atij mbikalimi gjatë sezonit veror. Do fillojë shumë shpejt menjëherë pas sezonit veror, pasi është pjesë e fazave të punimeve që janë duke u ndërtuar gjatë kësaj kohe”, vuri në dukje ai.

Ndërkohë, shtoi ministri, gjatë kësaj periudhe dhe periudhës të sezonit veror siç edhe mund ta shikojë çdo njeri është duke u punuar me ritme shumë të kënaqshme për të përfunduar segmentin që kalon edhe mbikalimin e Kasharit dhe shkon pothuajse deri te “Casa Italia”.

“ARRSH-ja është duke punuar edhe me grupet e interesit për hyrjet e daljet të subjekteve tregtare në të gjitha nyjet përkatëse siç është nyja e Rinasit apo nyjet e tjera sepse patjetër ajo rrugë i shërben qytetarëve. Por ne e dimë që aty ka dhe subjekte tregtare që janë në të dyja krahët e rrugës dhe jemi duke marrë me vëmendje dhe duke i parë me vëmendje të gjitha propozimet që na vijnë nga grupet e interesit”, tha Karakaçi.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›