E Martë, 3 Nëntor 2026

Zhupa: Turizmi në Shqipëri sektor i paorganizuar ku mbizotëron model selektiv

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, gjatë punimeve të sesionit të 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, që po zhvillohet në Strasburg, ka ngritur një sërë shqetësimesh që sipas saj, lidhen me keqmenaxhimin e sektorit të turizmit, mbrojtjes së mjedisit dhe praktikave korruptive të investimeve publike në Shqipëri.

Zhupa theksoi se turizmi në Shqipëri mbetet një sektor i paorganizuar, i paprioritizuar dhe me reforma të pjesshme, ku mbizotëron një model selektiv dhe i mbështetur në skema korruptive përmes ligjit të “investimeve strategjike”.

Zhupa deklaroi se këto investime shpesh janë dhënë pa transparencë dhe në mungesë të konkurrencës, duke përfituar persona të lidhur me pushtetin, madje edhe në raste të dyshuara për pastrim parash. Ajo kritikoi ndryshimet në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, që sipas saj, i hap rrugë ndërtimeve në zona natyrore në kundërshtim me standardet e BE-së dhe marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Deputetja foli dhe për kultivimin masiv të kanabisit në vit elektoral, duke pretenduar shpërndarje të paligjshme lejesh në mbi 29 mijë hektarë tokë, si dhe dështimin e inceneratorëve, të cilët sipas saj nuk funksionojnë, ndërsa i cilësoi një aferë korruptive me kosto prej 400 milionë eurosh.

Zhupa deklaroi se prioriteti i qeverisë nuk është mjedisi apo turizmi i qëndrueshëm, por pasurimi i klientëve dhe mbajtja e pushtetit me çdo kusht. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›