E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa kërkon interpelancë me ministrin Gonxhja: Projekti TID në Durrës kërcënon 70 familje dhe trashëgiminë

Projekti i rikualifikimit urban “TID” në Durrës, i financuar nga qeveria, Bashkia dhe AADF, është vënë në shënjestër të Komisionit Parlamentar për Kulturën. Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e komisionit, Ina Zhupa, depozitoi sot në Kuvend kërkesën për interpelancë me Ministrin e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Zhupa shprehet se ky projekt, ndonëse etiketohet si “rijetëzim turistik”, ka ngritur “shqetësime serioze” për ndikimin e tij social, ligjor dhe kulturor.

Shpronësime dhe mungesë garancish

Problemi kryesor lidhet me fatin e banorëve lokalë. Sipas deputetes, mbi 70 familje, pronarë të ligjshëm, janë futur në një proces shpronësimi me qëllim lirimin e hapësirave për zbatimin e projektit TID.

Zhupa kërkon nga Ministri Gonxhja të japë përgjigje publike për pyetje thelbësore të natyrës kushtetuese dhe ekonomike, të cilat lidhen me:

  • Cilat janë garancitë reale për procesin e shpronësimeve dhe dëmshpërblimeve, duke qenë se banorët janë pronarë të ligjshëm?
  • Pse ka munguar transparenca dhe konsultimi me komunitetin e prekur nga ky zhvillim?
  • Dëmtimi i trashëgimisë dhe ligjshmëria

Sipas saj, përtej shqetësimeve sociale, kërkesa për interpelancë vë në pikëpyetje edhe anën urbanistike dhe atë të trashëgimisë.

Zhupa kërkon të dijë nëse projekti respekton Planin e Përgjithshëm Vendor dhe legjislacionin për trashëgiminë kulturore.

Ajo paralajmëron se ndërhyrja e planifikuar mund të shkaktojë “dëmtimin e strukturës historike dhe sociale të qytetit,” duke vënë në pikëpyetje nëse ndikimi i projektit në turizëm është vërtet real apo thjesht fasadë.

Në fund të statusit të saj, deputetja Zhupa theksoi se prioriteti i saj dhe i Partisë Demokratike është mbrojtja e interesit të qytetarëve, lartësimi i trashëgimisë kulturore dhe promovimi i një turizmi të qëndrueshëm që respekton historinë dhe banorët lokalë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›