E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa për Zvërnecin: Thoni s’ka projekt, ndërkohë që thuhen shifra dhe vende pune për projektin

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, gjatë interpelancës sot me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkoi sqarime mbi investimin e propozuar në Zvërnec të Vlorës, procedurat e ndjekura për dhënien e lejeve dhe masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse.

Në fjalën e saj Zhupa tha se ministri Jaupaj duhet të japë llogari para qytetarëve për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe të pasurisë natyrore të vendit.

“Në krye të protestës kanë qenë shumë simbole të flamingove, të pelikanëve, të shpendëve, të kafshëve të mbrojtura, të cilat kemi fatin që ende t’i kemi në Shqipëri, por kjo protestë nxori në pah edhe një lloj tjetër, strucin e Nartës. Me sjelljen tuaj, zoti ministër, që keni fshehur kokën dhe nuk po u ktheni përgjigje kërkesave të gazetarëve, kërkesave të qytetarëve dhe nevojën për llogaridhënie që duhet të jepni sot nga këtu”, theksoi Zhupa.

Ajo solli në vëmendje rastin e 81-vjeçares Lefkothea Karasës, banore e Nartës, e cila ka shkuar në burg dhe më pas në gjyq për ndërtim pa leje në Nartë.

“Ndërkohë që klientët tuaj, oligarkët tuaj rrethuan me tela me gjemba pronën publike, zonën e mbrojtur pa iu dridhur qerpiku, vendosën roja private, dhunuan qytetarët sepse kishin mbrojtjen tuaj shtetërore. A mund t’i thoni sot qytetarëve, zoti ministër, a bini ju dakord me kryeministrin se mund të jetë një pronë private brenda zonës së mbrojtur dhe mund të trajtohet si një parcelë e zakonshme ndërtimi, apo statusi mjedisor i territorit përcakton vlerën ekologjike të asaj zone dhe jo pronësinë mbi tokën?”, tha Zhupa.

Më tej Zhupa ngriti pikëpyetje mbi statusin e projektit të zhvillimit në Zvërnec dhe dokumentacionin përkatës.

“A janë dhënë dhe a jeni ju në dijeni që janë dhënë leje ndërtimi për objektin resort turistik në gadishullin e Zvërnecit me vendndodhje Pish-Poro, Nartë, bashkia Vlorë, shoqërisë Zvërnec South Adriatic Developement? A jeni ju që i jeni përgjigjur Komisionit Europian që e keni pezulluar projektin dhe a kishte një projekt? Sepse po jeni i njëjti individ që keni thënë që nuk ka projekt, ndërkohë që thuhen shifra për projektin 4.5 miliardë euro, thuhen 100 vende pune për projektin, ju thoni s’ka projekt, ndërkohë unë kam dokumentet që kanë katër leje që janë dhënë për atë projekt”, tha Zhupa.

Megjithatë, vijoi Zhupa, pres të na sqaroni ju, të sqaroni opinionin publik se a ka leje zhvillimi, a ka leje ndërtimi, a ka projekt apo nuk ka projekt.

“Si është dhënë miratimi apo dakordësia për leje zhvillimi pa një vlerësim të ndikimit në mjedis të përfunduar, të publikuar dhe të konsultuar? Ndërkohë që detyrimi është që ky proces të ndodhë para se të jepet leja e zhvillimit. Nëse realisht e keni pezulluar, siç ia keni deklaruar Brukselit, a mund të na thoni, me çfarë akti ligjor e keni pezulluar, cilën leje e keni pezulluar, kush e ka nxjerrë aktin, në cilën datë dhe a është komunikuar me subjektin zhvillues?”, nënvizoi Zhupa.

Në vijim të interpelancës, deputetja Zhupa tha se qeveria ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura për t’i hapur rrugë ndërtimeve në këto territore.

“Ju e dini shumë mirë që keni ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura pikërisht për t’i hapur rrugën ndërtimeve të tilla dhe pikërisht për të vendosur që në Shqipëri të mos kishte më asnjë zonë të mbrojtur dhe mos kishte më asnjë ndalesë nga dëshira dhe oreksi i qeverisë për të zhvilluar ku të donit, si të donit dhe çfarë të doni. Koncepti juaj i zhvillimit është i ndryshëm nga koncepti i zhvillimit që ka çdo qytetar shqiptar që e do Shqipërinë me një zhvillim në harmoni me natyrën, me konventat europiane, me Kushtetutën e Shqipërisë, me interesin publik, ku zonat e mbrojtura rrinë të tilla, të pacenuara, dhe zhvillimi, betonizimi shkojnë atje ku ka mundësi dhe atje ku ka hapësira në marrëveshje me privatin apo në toka shtetërore”, tha Zhupa.

Deputeti i opozitës, Redi Muçi në interpelancën me ministrin e Mjedisit, Sofjan Japuaj për investimin e propozuar në Zvërnec, tha se ligji për zonat e mbrojtura u ndryshua për t’iu hapur rrugë zhvillimeve të tilla.

“Nga ndryshimet që i keni bërë ligjit për zonat e mbrojtura, para ndryshimeve specifikohej që ato që quheshin nënzona qendrore kishin një status të veçantë. Pavarësisht nëse zona e mbrojtur ishte e kategorisë së parë apo të pestë, brenda saj përcaktoheshin nënzonat qendrore të nivelit A dhe B. Dhe këtu kam ligjin. Ndalohej ndërtimi i çdo lloji, ndërtimi i objekteve çlodhëse dhe sportive, lëvizja me mjete motorike të çdo lloji, me përjashtim të makinave të administratës, si dhe shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive. Në vitin 2024 i fshitë të gjitha këto përcaktime dhe latë vetëm disa gjëra estetike, si ndalimi i ndezjes së zjarreve dhe gjuetisë, të cilat nuk e pengojnë marshimin drejt zhvillimit që keni planifikuar”, theksoi Muçi.

Deputeti Muçi tha se “u bënë 12 ditë dhe ende sot që flasim, lejet e zhvillimit nuk janë zbardhur. Kompania në fjalë ka marrë dy leje zhvillimi për ndërtimin e resortit, në janar dhe në prill, nga KKTU-ja, por lejet nuk janë zbardhur ende. Rrethimi i zonës me gardh e bën të pamundur lëvizjen e faunës. Po kryhen punime brenda një zone të mbrojtur dhe brenda rrethimit ndodhen dy monumente natyre. Shtrimi i rrugëve të reja të kalimit me mjete në brendësi të dunave ranore kërkon vlerësim paraprak, pasi mbulon habitate natyrore me rëndësi europiane”.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›