E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehaj interpelancë me Malajn për gjobën 120 mln euro ndaj Bankers Petroleum

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj zhvilloi sot një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, lidhur me ekzekutimin e detyrimeve financiare dhe mbledhjen e gjobës prej rreth 120 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehaj kërkoi sqarime mbi fatin e kësaj gjobe, duke pyetur nëse ajo është arkëtuar dhe cilat janë arsyet e vonesave në mbledhjen e saj.

Sipas tij, interpelanca zhvillohet në një moment kur qytetarët po protestojnë dhe po shprehin shqetësime për menaxhimin e pasurive dhe interesave publike.

“Po shisni interesin e shqiptarëve, tokën e shqiptarëve”, u shpreh Shehaj, duke shtuar se institucionet kanë detyrimin të garantojnë mbledhjen e detyrimeve financiare ndaj shtetit.

Ai theksoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë mbi procesin e arkëtimit të kësaj shume dhe mbi veprimet e ndërmarra nga autoritetet përgjegjëse.

Shehaj deklaroi gjithashtu se dëmtimi i interesit publik dhe mosmbledhja e të ardhurave që i takojnë shtetit përbën një problem serioz, duke shtuar se shqiptarët ndihen të zhgënjyer nga mënyra se si po administrohen këto çështje.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›