E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa takim me studentët e UAMD për verifikimin e informacionit dhe komunikimin publik

TIRANË, 26 mars /ATSH/ – Roli i komunikimit publik dhe rëndësia e verifikimit të informacionit nga burime të besueshme ishin në fokus të një takimi të zhvilluar me studentët e Departamentit të Administrimit Publik në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në këtë bashkëbisedim, drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së Valbona Zhupa, ndau eksperiencën mbi sfidat që sjell epoka e informacionit të shpejtë, ku përhapja e lajmeve të rreme (fake news) mbetet një nga rreziqet kryesore për publikun dhe institucionet.

Ajo theksoi se Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) është sot një partner i rëndësishëm dhe burim i besueshëm informacioni për shumë agjenci ndërkombëtare të lajmeve, duke garantuar verifikimin e fakteve dhe referimin tek burimet zyrtare.

Gjatë diskutimit Zhupa u ndal veçanërisht tek rëndësia e dallimit mes lajmit të vërtetë dhe atij të rremë, roli i burimeve zyrtare në ndërtimin e besueshmërisë, mënyrat praktike se si studentët mund të verifikojnë informacionin përpara se ta shpërndajnë, si dhe rrezikun e përhapjes së dezinformimit për shkak të mungesës së verifikimit.

Zhupa nënvizoi se në një kohë kur rrjetet sociale janë burimi kryesor i informacionit për të rinjtë, është thelbësore që ata të zhvillojnë mendim kritik dhe të orientohen drejt burimeve të sigurta dhe profesionale.

“Mos u bëni shpërndarës të lajmeve të rreme për shkak të nxitimit apo neglizhencës për të verifikuar. Çdo informacion duhet të kalojë përmes filtrit të burimeve të besueshme”, u shpreh Zhupa.

Takimi u mirëprit nga studentët, të cilët shfaqën interes për mënyrën se si prodhohet lajmi, si verifikohet ai dhe cilat janë standardet profesionale që garantojnë saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit.

Ky aktivitet vjen në kuadër të angazhimit të ATSH-së për të rritur ndërgjegjësimin mbi luftën kundër dezinformimit dhe për të promovuar kulturën e informimit të saktë, veçanërisht tek të rinjtë.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›