Zhvatën qytetarët përmes mashtrimit, Prokuroria Tiranë sekuestron shoqëritë Micro Credit Albania dhe Final

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar kuotat dhe asetet e kompanive të mikrokredive Micro Credit Albania dhe Final.
Sipas organit të akuzës këto dy kompani kishin ngritur skemë mashtrimi për të zhvatur qytetarët të cilët kishin probleme me kreditë.
Prokuroria shton se këto subjekte kanë përndjekur dhe u kanë ushtruar presion kredimarrësve.
Kompanitë e mikrokredive dyshohet se kanë mashtruar kredimarrësit dhe kanë fryrë detyrimet e tyre, kanë sekuestruar llogari bankare duke shkelur ligjin për minimum jetik, kanë sekuestruar prona me vlerë shumë herë më të lartë se detyrimet dhe në ankande i kanë vlerësuar shumë herë më pak këto prona.
Në këtë mënyrë qytetarët janë detyruar që të marrin kredi të reja me interesa disa herë më të larta.
Jo vetëm kaq, por këto kompani kanë ushtruar ndër të tjera presione psikologjike për debitorët dhe familjarët e tyre nëpërmjet telefonatave të shumta me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.
Në lidhje me mashtrimin me mikrokreditë ndodhen në burg Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, ndërsa në arrest shtëpie janë Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi dhe Kejda Seferi.Nga ana tjëtër vijon të jetë në kërkim Alban Kote./vizionplus.tv