E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës, Rama: U ngatërrua adresa fizike e zyrës me shërbimet për qytetarët

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot në shënimet e javës gjatë podcastit “Flasim” tek zhvendosja organizative e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë që si u shpreh ai “u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët”.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, sipas Kryeministrit, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet.

“Por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika”, vijoi Rama.

Kryeministri theksoi se gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur.

“Duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës”, theksoi Kryeministri.

Rama vuri në dukje se zhvendosja e Kadastrës së Vlorës nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit.

“Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, përfundoi Rama.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›