Zjarr në Kuç të Poshnjes, flakët dyshohet se nisën nga djegia e mbetjeve

Një vatër zjarri është regjistruar këtë të enjte në fshatin Kuç, Njësia Administrative Poshnje, në bashkinë e Dimalit, ku flakët dyshohet se kanë nisur nga djegia e mbetjeve dhe më pas janë përhapur në zonën përreth.
Sipas informacionit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSh) Dimal, zjarri fillimisht ka përfshirë mbetje të grumbulluara në zonë, ndërsa për shkak të temperaturave të larta dhe bimësisë së thatë është përhapur edhe në shkurre dhe ferra.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse me dy mjete dhe gjashtë efektivë, të cilët po punojnë për izolimin e vatrës dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Rasti rikthen në vëmendje problematikën e djegies dhe menaxhimit të mbetjeve, një fenomen që gjatë sezonit veror shpesh bëhet shkak për shpërthimin e zjarreve në sipërfaqe me bimësi të ulët dhe toka të pambjella.
Deri tani nuk raportohen dëme në banesa apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën deri në shuarjen e plotë të zjarrit.