E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qytetari i thjeshte!”/Ndërsa pasagjerët hipin në autobus, Agron Shehajn e pret makina në pistën e aeroportit

Deputeti Agron Shehaj, njeriu që shpesh paraqitet si politikani pranë qytetarëve të zakonshëm, është filmuar në aeroport teksa largohet nga avioni drejt një automjeti personal që e priste brenda pistës.

Në pamje të parë, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Deputetë, ministra, biznesmenë e personalitete të ndryshme shpesh përfitojnë shërbime të tilla për arsye sigurie apo protokolli.

Por problemi nuk është makina.

Problemi është se kur bëhet fjalë për Shehajn, publikut i është shitur prej vitesh ideja e politikanit që jeton si qytetar i zakonshëm, që ndan të njëjtat shqetësime dhe të njëjtën përditshmëri me njerëzit e thjeshtë.

Në parlament flitet për privilegjet e kastës politike. Në rrjetet sociale publikohen foto me qytetarë, përqafime, shtrëngime duarsh dhe mesazhe për thjeshtësi. Por kur vjen momenti për të bërë atë që bëjnë qindra pasagjerë të tjerë pas uljes së avionit, duket se autobusi i aeroportit nuk është aq tërheqës.

Qytetarët zbresin nga avioni, presin radhën, hipin në autobus dhe vazhdojnë rrugën. Disa politikanë, ndërkohë, duket se kanë një marrëdhënie më personale me asfaltin e pistës: makina i pret te shkallët dhe dikush kujdeset që udhëtimi të mos përzihet me atë të njerëzve të zakonshëm.

Disa pretendojnë se populli i do. Madje këtë e tregojnë sa herë që hapet kamera apo publikohet një foto në rrjetet sociale. Por sa e duan thjeshtësinë e popullit, kjo është një pyetje që ndonjëherë merr përgjigje në detaje të vogla.

Sepse dashuria për popullin është e madhe, por jo aq e madhe sa të ndash autobusin me të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›