E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarr në azilin privat në Tiranë, lëndohen disa të moshuar, evakuohen të tjerët

Një zjarr në një azil privat në Tiranë ka rrezikuar jetën e disa të moshuarve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak minuta pas mesnate në rrugën Ali Visha në afërsi të zonës së Ali Demit.

Në këto pamje, duken efektivët e Komisariatit nr.1 në Tiranë të cilët nxjerrin nga dhomat të gjithë të moshuarit, ku pjesa më e madhe e tyre vuajnë në sëmundje të shëndetit mendor ose kanë vështirësi të lëvizin.

Zjarri mësohet se ka rënë në një prej dhomave në katin e parë të godinës tre katëshe. Shkak mësohet se është bërë një shkëndijë elektrike në batanijen me korent. Në dhomën ku rene zjarri qëndronin dy të moshuar, ndërsa në dhomën ngjitur dy të tjerët.

I moshuari që përdorte batanijen me korent ka pësuar djegie të lehta në këmbë dhe ndodhet në QSUT jashtë rrezikut për jetën. Dy të moshuar të tjerë ndodhen në spital për shkak të asfiksisë, gjithashtu jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa një tjetër i moshuar për shkak të panikut dhe lëvizjeve të pakontrolluara i ka pesuar demtime telehta. Fillimisht ai është dërguar të Trauma dhe pas mjekimit është rikthyer në azil.

Ngjarja ka ndodhur në të njëjtën rrugë dhe në afërsi të azilit tjetër privat ku përpara disa muajsh Zyhdi Shehi 78-vjeç goditi me bastun duke e lënë të vdekur shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho, 82 vjeç. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›