E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shton taksat mbi karburantet

 

Ministria e Financave zgjeroi aplikimin e TVSH-së nga tregu me shumicë te tregu me pakicë

Pasoja e vendimit qe rritja e ngarkesës së përgjithshme fiskale prej 1-2 lekë te nafta

Çmimi i karburanteve shënoi rritjen e radhës në tregun shqiptar si pasojë e rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, si dhe për shkak të ndryshimeve në procedurat fiskale. Gjatë ditëve të fundit, çmimi i Dizelit të cilësisë së parë kërceu në kuotën e 172 lekëve, ndërkohë që D2 u rrit në 168 lekë për litër. Ky është niveli më i lartë i çmimeve të regjistruara për hidrokarburet në Shqipëri.

Taksat e reja

Një udhëzim i Ministrisë së Financave i majit të këtij viti, ka vendosur aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për çmimin final të shitjes së karburanteve. Më herët, TVSH zbatohej mbi çmimin e shitjes me shumicë. Kjo gjë solli një rritje të përgjithshme të ngarkesës fiskale mbi karburantin me 1-2 lekë për litër, gjë që u pasqyrua edhe në çmimet finale për konsumatorin. Sipas të dhënave të mbledhura nga “Shekulli”, gjatë qershorit, çmimi i karburanteve u rrit me rreth 3.5% në tregun shqiptar, në një kohë që në tregun ndërkombëtar, të dhënat nga bursat njoftuan për rritje prej vetëm 1.1%.

Udhëzimi i financave i klasifikon pikat e shpërndarjes së karburanteve “kontraktorë shërbimi” si dhe detyron grosistët të mbajnë TVSH mbi çmimin me pakicë.

Debati për uljen e taksave

Një shoqatë që përfaqëson disa kompani importuese të hidrokarbureve, pati sugjeruar disa muaj më parë uljen e ngarkesës fiskale te karburantet në mënyrë që të lehtësohet rritja e çmimeve për konsumatorin final. Argumentimi qe se qeveria po grumbullonte për të njëjtën sasi nafte të konsumuar nga shqiptarët, një sasi shumë më të madhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Qeveria i dha përgjigje kësaj kërkese duke shtuar më tej TVSH-në për hidrokarburet.

Pasoja te inflacioni

Çmimi i naftës dhe ai i energjisë elektrike kanë qenë dy çmimet kyç që kanë sjellë rritje të inflacionit në Shqipëri gjatë muajve të fundit. Vendi ynë duket se është më pak i prekur nga rritja botërore e çmimit të ushqimeve, kryesisht për shkak të shkallës së ulët të hapjes së ekonomisë, por ka qenë tërësisht e ekspozuar nga rritja e çmimeve të energjisë. Në krahasim me një vit më parë, çmimi i naftës është rritur me 31%, shifër kjo që jep ndikim të fortë në inflacion. Ndonëse çmimi i importit të energjisë elektrike u rrit me 47% gjatë vitit të kaluar dhe me 16% këtë vit, pasojat nuk janë ndjerë shumë te inflacioni për shkak se qeveria ka vendosur të paguajë vetë faturën, pa ia ngarkuar atë konsumatorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›