Zjarri në Crans-Montana në Zvicër, qeveria italiane bëhet palë civile në procesin penal

Qeveria italiane ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm ligjor në rrafshin ndërkombëtar, duke u regjistruar zyrtarisht si palë civile në procedurat penale që po zhvillohen në Zvicër. Procesi lidhet me zjarrin e rëndë që përfshiu zonën e njohur turistike të Crans-Montana gjatë natës së ndërrimit të viteve, mes 31 dhjetorit 2025 dhe 1 janarit 2026.
Sipas një komunikate zyrtare të shpërndarë nga Palazzo Chigi, ky veprim është koordinuar në nivelet më të larta institucionale. Përfaqësimi i interesave të Republikës Italiane po bëhet përmes Presidencës së Këshillit të Ministrave dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, institucione të cilat kanë deleguar një firmë avokatie zvicerane për të ndjekur çështjen nga afër në gjykatat vendase.
Nisma ligjore e Romës vjen si pasojë e kostove të konsiderueshme dhe të papritura që buxheti i shtetit italian u detyrua të përballojë për t’u ardhur në ndihmë shtetasve të vet të prekur nga kjo fatkeqësi.
Në deklaratën e qeverisë italiane argumentohet qartë arsyeja e kësaj kërkese për përfshirje në proces dhe dëmshpërblim:
“Vendimi është i motivuar nga dëmi i drejtpërdrejtë i shkaktuar aseteve të shtetit italian për shkak të burimeve të konsiderueshme të mobilizuara nga Shërbimi Kombëtar i Mbrojtjes Civile për ndihmë mjekësore, psikologjike dhe logjistike për bashkatdhetarët e përfshirë.”
Përmes këtij veprimi, autoritetet italiane synojnë të rikuperojnë fondet publike të shpenzuara gjatë operacionit masiv të shpëtimit dhe asistencës, duke theksuar njëkohësisht angazhimin e shtetit për t’iu gjendur pranë qytetarëve të tij në situata emergjente edhe jashtë kufijve kombëtarë.
/rtsh.al/