E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, fati i emigrantëve në Gjykatën e Lartë, shqyrtohet heqja e statusit “TPS”, rrezikohet dëbimi i mbi 1.3 milion personave

Beteja ligjore për mbrojtjen e emigrantëve në Amerikë ka mbërritur tashmë në dyert e Gjykatës së Lartë, ku po vendoset fati i statusit të përkohshëm të qëndrimit. Ky program u lejon personave nga vendet në krizë të jetojnë e të punojnë ligjërisht, por administrata Trump ka vendosur t’i japë fund kësaj mundësie.

Vendimi prek drejtpërdrejt rreth 350 mijë haitianë dhe mijëra sirianë, por efekti mund të shtrihet tek mbi 1 milion njerëz në mbarë vendin. Ish-sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e mbrojti këtë lëvizje duke thënë se programi është abuzuar dhe se kushtet në vendet e origjinës janë përmirësuar.

Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut reaguan menjëherë duke thënë se “Haiti dhe Siria mbeten vatra zjarri ku jeta e këtyre njerëzve do të ishte në rrezik serioz”. Paditë e ngritura pretendojnë se ky vendim nuk është thjesht ligjor, por i nxitur nga paragjykimet racore të zyrtarëve të lartë.

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar një projektligj për zgjatjen e programit deri në vitin 2029, por Senati ende nuk ka vendosur, dhe tani sytë janë te vendimi final i Gjykatës së Lartë, që pritet të përcaktojë nëse qeveria ka të drejtë të ndërpresë këto mbrojtje pa ndërhyrje të gjykatave, një vendim që mund të ndryshojë jetën e qindra mijëra emigrantëve dhe të vendosë një precedent të ri për politikat e emigracionit në SHBA.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›