E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarri në parlament, Berisha përshëndet aksionin e deputetëve: Sot nisëm betejën e fitores

Kreu i PD, Sali Berisha në daljen e tij të përnatshme nga ballkoni i banesës ku prej 30 dhjetorit ndodhet në “arrest shtëpie”, ka komentuar aksionin e opozitës në seancën e sotme plenare.

Berisha e ka cilësuar veprim heroik dhe përballje me krimin djegien e karrigeve jashtë sallës së Kuvendit nga ana e deputetëve të opozitës.

Sipas tij çdo qytetar duhet t’i japë përgjigjen e merituar Edi Ramës, duke shprehur revoltën në të gjitha format.

“Një përshëndetje të zjarrtë deputetëve të Partisë Demokratike, që nisën sot në sallën e parlamentit të mafias dhe krimit, betejën e fitores, betejën e pandalshme, që i dha përgjigjen më të merituar Edi Ramës, këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Europës, që burgosi deputetin Ervin Salianji, sepse ai denoncoi Geronin e vëllazërisë Xhafa, që fshihej dhe si kriminel, shpërndante drogë, helm në Shqipëri, në Itali dhe Europë. Sot deputetët e PD-së, nisën betejën, betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës. Ajo betejë duhet të frymëzojë çdo demokrate, demokrat, çdo qytetare e qytetar të këtij vendi, për tu ngritur në një betejë në mosbindje civile më te gjitha mjetet e saj.  Për shpëtimin e Shqipërisë nga krimit, mafia, vjedhja. Qeveri teknike, zgjedhje të lira. Rotacionin, fitoren e opozitës.  Deputetët e opozitës sot u thanë kriminelëve me pushtet, Edi Ramës në parlament, në qeveri në prokurori dhe gjykata e kudo që janë, se është radha jonë dhe se forcë në botë nuk ka që të na ndalë ne pa realizuar qëllimet tona”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›