E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri përfshin Lurën, flakët avancojnë drejt pllajave të Lanë Lurës, 40 ushtarë në operacion

Një vatër zjarri vijon të jetë aktive në Parkun Kombëtar të Lurës, në Qarkun e Dibrës, prej dy ditësh. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme kullotash dhe pyjesh me pisha e bredh, ndërsa situata vijon të përkeqësohet. Gjatë ditës së djeshme, në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan rreth 100 forca të Bashkisë, Emergjencave Civile, shërbimit zjarrfikës dhe vullnetarë. Në ndihmë të forcave në terren ndërhynë edhe dy helikopterë.

Gjatë natës, zjarri ka avancuar drejt zonës së quajtur Gjagjisht, duke vijuar më tej në drejtim të pllajave të Lanë Lurës. Ditën e sotme, në operacion janë angazhuar edhe 40 forca ushtarake të Batalionit të Mbështetjes, të cilat i janë bashkuar ekipeve që po punojnë në terren për izolimin e flakëve.

Pritet që ndërhyrja nga ajri të vijojë edhe sot, me qëllim vënien nën kontroll të situatës. Terreni i vështirë, mungesa e rrugëve pyjore dhe era e fortë po e vështirësojnë ndjeshëm operacionin, ndërsa kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e zjarrit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›