E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni i vaditjes në Shkodër vijon normalisht, pritet prodhimtari e lartë dhe cilësi në disa kultura

Temperaturat e larta dhe thatësira e kësaj vere kanë rritur nevojën për ujë në tokat bujqësore të Nënshkodrës. Megjithatë, sipas drejtuesve të sektorit të bujqësisë në bashki, procesi i vaditjes po vijon normalisht. Kjo, sipas tyre, lidhet me investimet e realizuara në sistemin e ujitjes.

Vetëm në njësinë administrative Bërdicë janë përfshirë në procesin e vaditjes rreth 500 hektarë tokë bujqësore. Në njësinë administrative të Bërdicës është një njësi që mban edhe peshën kryesore të prodhimit bujqësor të bashkisë Shkodër.

“Në kushtet që flasim, në këtë njësi janë kryer një sërë ndërhyrjesh në pjesën më të madhe të kanaleve ujitëse. Këto janë kryer rreth 12 mijë metra linearë kanalesh”, tha Muhamet Muca, drejtues i Sektorit të Bujqësisë, Bashkia Shkodër

Që nga nisja e sezonit, në zonën e Nënshkodrës janë realizuar tre cikle të plota vaditjeje, gjë që pritet të ndikojë në rendiment dhe në cilësinë e prodhimit.

Sipas specialistëve, pritshmëritë janë për një prodhim prej rreth 100 deri në 120 kuintalë misër për hektar. Edhe për kulturat e tjera parashikohet rritje krahasuar me një vit më parë.

“Përveç misrit, zona e Shkodrës shquhet edhe për bimë të tjera, siç është jonxha, gruri, hasëllat në shërbim të blegtorisë dhe perimet, të cilat në këtë vit, falë këtij investimi, kanë ndikuar jashtëzakonisht për mirë në rritjen e cilësisë dhe sasisë së prodhimit”, tha specialisti i bujqësisë, Xhavit Pllumbi.

Me temperaturat e larta që pritet të vijojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, sigurimi i ujit për tokat bujqësore mbetet një nga prioritetet e fermerëve të Nënshkodrës.

Gazetar: A.Hoti  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›