E Diel, 1 Nëntor 2026

Zvërneci/ PE: Kërkojmë moratorium ndërtimesh në zonat e mbrojtura, shfuqizoni ndryshimet ligjore të vitit 2024

Parlamenti Europian i ka kërkuar Shqipërisë të vendosë moratorium për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, duke shprehur njëkohësisht shqetësim për zhvillimet që po vazhdojnë në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.

Kërkesa është pjesë e amendamentit 17 të rezolutës, i cili u miratua këtë të mërkurë gjatë votimit të raportit vjetor për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Sipas tekstit të miratuar, zhvillimet në Vjosë-Nartë “tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që rrjedhin prej tyre për zona me vlera të njohura ekologjike”. Eurodeputetët thonë se po ndjekin protestat paqësore të zhvilluara për këtë çështje dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin “një moratorium të menjëhershëm për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura”.

Në amendament thuhet se ky moratorium duhet të qëndrojë në fuqi derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të ligjit të 2024 për zonat e mbrojtura, bazuar në kërkesat e kahershme të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, si dhe deri në garantimin e përputhjes së plotë me standardet europiane për mbrojtjen e natyrës.

Parlamenti Europian kërkon gjithashtu që çdo projekt i planifikuar në këto zona t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe një procesi transparent konsultimi me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Çfarë thotë Amendamenti 17?

“Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.”

Amendamenti u miratua në kuadër të raportit për Shqipërinë, i cili mori 483 vota pro. Dokumenti vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit europian, por kërkon edhe vijimin e reformave në fusha të ndryshme.

Raporti për Shqipërinë për vitin 2025 është hartuar nga raportuesi Andreas Schieder, i cili një ditë më parë deklaroi se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është plotësisht realist. Në seancën plenare, Schieder dhe Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe perspektivën për avancimin e mëtejshëm të negociatave.

Miratimin e raportit vjetor e përshëndeti sot edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulan Balla , duke e cilësuar një vlerësim të madh për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian.“Ky vendim i përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqipërisë sonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shprehet Balla.

Ai falënderoi të gjithë eurodeputetët që votuan në mbështetje të rezolutës, ndërsa një falënderim të veçantë ia kushtoi raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, si dhe Andrey Kovatchev për kontributin e tyre në mbështetje të perspektivës europiane të vendit.

Balla e konsideroi këtë votim si një sinjal të fortë mbështetjeje për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe objektivin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›