• Kryeministri zhvillon takime dypalëshe me personalitete pjesëmarrëse në Samit (takim me Presidentin e Serbise dhe Malit te Zi Maroviç/takim me Presidentin e Bullgarise Parvanov/takim me Presi
• Kryeministri zhvillon takime dypalëshe me personalitete pjesëmarrëse në Samit (takim me Presidentin e Serbise dhe Malit te Zi Maroviç/takim me Presidentin e Bullgarise Parvanov/takim me Presidentin Maqedonas Cervenkovski)
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në Samitin e Europës Juglindore "Zhvillimi i dialogut ndëretnik e ndërfetar, faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe progresin në Europën Juglindore", ku mernin pjesë autoritete të larta të vendit dhe personalitete të rëndësishme nga vende të ndryshme.
Me këtë rast, Kryeministri Nano ka zhvilluar takime dypalëshe me disa nga personalitetet pjesëmarrëse në Samit.
Kryeministri Nano pati një takim të vecantë me Presidentin e Unionit Serbi-Mali i Zi, Svetozar Maroviç.
Pas ketij takimi dy autoritetet e larta u shprehen:
Kryeministri Nano:
Vleresoj vizitën e rëndësishme të Presidentit të Unionit Serbi-Mali i Zi, z. Svetozar Maroviç në Tiranë, me rastin e Samitit të Europës Juglindore për Dialogun Ndërfetar dhe Ndëretnik.
Ky është një rast shumë i mirë për të vazhduar dialogun bilateral dhe për të pasuruar bashkëpunimin dypalësh edhe mes qeverive të Serbi- Mali i Zi dhe Shqipërisë. Ne ndamë sërish të njëjtin vlerësim për nevojën e përshpejtimit të reformave demokratike dhe të ekonomisë së tregut në secilin prej vendeve tona, si dhe të dinamizimit të iniciativave të bashkëpunimit rajonal që po e europianizojnë Ballkanin dhe po krijojnë mundësi për zgjidhjen e problemeve të mbetura, natyrisht edhe për cështjen e Kosovës në të cilën, sic tha edhe Presidenti Marovic në fjalën e tij (në Samit), nuk mjafton të flasin vendet me njëri-tjetrin, por duhet të flasin edhe komunitetet me njëri-tjetrin, në një Kosovë tashme demokratike, e cila ka vendin e saj në rajon, me institucionet e sigurisë kolektive dhe të demokracisë europiane, me Bashkimin Europian dhe me të gjitha iniciativat që po e hapin rajonin për integrim euroatlantik.
Presidenti Marovic shprehu menjëherë angazhimin dhe dëshirën që këto vizita ketu të kenë akses dhe vazhdim edhe ne Beograd. Ne do të presim në ditët e ardhshme Ministrin e Jashtëm të Serbisë, në Tiranë dhe do t'i përgjigjemi, jam i bindur, edhe unë dhe Presidenti Moisiu, ftesave tashmë të qarta për të vizituar Beogradin zyrtar dhe për të vazhduar përpunimin e programeve dhe iniciativave që forcojnë më tej bashkëpunimin, duke përmirësuar gjithë klimën e marrëdhënieve politike të lëvizjeve të lira dhe të dialogut midis komuniteteve të ndryshme etnike në Ballkan.
Presidenti i Serbi Mali i Zi, Maroviç:
"Ishte kënaqësi që u takova me Presidentin Moisiu dhe Kryeministrin Nano. Për 50 vjet nuk ka patur asnjë zyrtar të lartë serb që të vizitojë Tiranën. Samiti i sotëm është një rast i mirë për të ardhur në kryeqytetin tuaj.
Ne dëshirojmë hapjen e dyerve të rajonit. Rajonin duam ta shndërrojmë në një hapesirë europiane. Me Kryeministrin Nano zhvilluam bisedime me interes dypalësh. Duhet të përpiqemi bashkarisht të zhvillojmë marrdhëniet ekonomike, që orienti drejt Europës të mos ketë kthim.
Me Kryeministrin Nano evidentuam se kjo është e vetmja rrugë për rajonin tonë, ramë dakord se pas vizitës së Ministrit të Jashtëm Drashkovic në Tiranë, të kete vizita të nivelit të lartë.
Me Kryeministrin Nano diskutuam edhe për problemet që kalon rajoni ynë dhe ishin në një mendje që ato janë sfida europiane. Përsa i përket çështjes së Kosovës, po merren njerëz që mendojnë në mënyrë europiane. Me këtë problem nuk merren njerëz që nisen nga interesa të ngushta, por që nisen nga interesa europiane. Në duam ta shëndërrojmë Europën Juglindore në një pjesë të Europës së bashkuar. Dhe kur të shkojmë në Europë, mes nesh duhet të ketë marredhënie miqësore.
Historinë e ndarjeve dhe konflikteve e kemi lënë pas. Edhe pse mes nesh ka diferenca, duhet të përpiqemi të ndërtojmë një të ardhme më të mirë të përbashkët dhe e vetmja rrugë për këtë është dialogu. Unë kam shumë besim tek njerëzit që drejtojnë Shqipërinë."
***
Kryeministri Fatos Nano takohet me Presidentin bullgar George Parvanov
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në mesditë një takim me Presidentin bullgar George Parvanov, në kuadër të Samitit rajonal "Zhvillimi i dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe progresin e Europës Jug-Lindore".
Në fillim të këtij takimi, dy autoritetet e larta e vlerësuan këtë Samit si një mundësi që nxit më tej frymën e bashkëpunimit, dialogut, mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës në rajon.Sipas zotit Parvanov Shqiperia vazhdon te luaj nje rol te rendesishem ne drejtim te paqes dhe stabilitetit ne kete funksion.
Duke u fokusuar në marrëdhëniet dypalëshe, zoti Nano dhe zoti Parvanov ndanë të njëtin mendin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë janë të shkëlqyera në planin politik, ndërsa theksuan se është e rëndësishme të zgjerohen edhe në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona.
Presidenti Parvanov, nga ana e tij, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe rikonfirmoi gadishmërinë e Bullgarisë për të mbështetur dhe shkembyer eksperience me Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit drejt Bashkimit Europian.
Dy autoritetet ndanë të njëjtin mendim për rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme në të dy vendet dhe kanë shprehur bindjen se ky proces do të shënojnë progres në përmbushjen e standarteve demokratike.
Po ashtu në takim u vleresua çdo inisiative për shtimin e hapësirave për lëvizjen e lirë të qytetarëve jo vetem mes Bullgarise dhe Shqiperise,por dhe mes vendeve te tjera te rajonit në kuadrin e idesë së Shengenit Ballkanik.
***
Kryeministri Fatos Nano u takua me Presidentin maqedonas Branko Cervenkovski.
Të dy personalitetet diskutuan mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet në rajon, ecurinë e proceseve integruese, etj. Ata vleresuan ecurine e deritanishme dhe ndanë të njëjtin vullnet për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe të iniciativave të bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri Nano dhe Presidenti Cervenkovski vlerësuan shumë të rëndësishëm për bashkëjetesën midis maqedonasve dhe shqiptarëve zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Cervenkovski nënvizoi vullnetin për vazhdimin e kontributit më tej në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit të tij. Në këtë kuadër, zoti Nano përshëndeti zgjedhjen në referendumin e datës 7 nëntor, duke theksuar se kjo i shërben paqes, bashkëjetesës dhe stabilitetit jo vetëm të vendit fqinj por dhe gjithë rajonit.
Më tej Kryeministri Nano vlerësoi procesin e zgjedhjes së Kryeministrit të ri maqedonas, duke rikonfirmuar vullnetin për bashkëpunim dhe në të ardhmen me zotin Buckovski në detyrën e re, për të thelluar inisiativat me interes dypalësh, rajonale e më gjërë, në funksion gjithashtu dhe të integrimit të shpejtë euroatlantik të dy vendeve tona.