Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, gjatë të cilit u diskutuan çështje të marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, gjatë të cilit u diskutuan çështje të marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të ndërsjellë, procesi i integrimit euroatlantik dhe zhvillimet në rajon.
Në fillim të takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet politike midis dy vendeve konsiderohen të mira, ndërsa shprehën vullnetin e përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh për forcimin e marrëdhënieve dhe ngritjen e nivelit të tyre në të gjitha fushat me interes për të dy vendet, ndërsa kanë diskutuar mbi vizitën e ardhshme të Kryeministrit në Moskë.
Në këtë drejtim, zoti Nano u shpreh se "nënshkrimi së afërmi i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit dypalësh do t'i shërbejë thellimit të bashkëpunimit afatgjatë midis dy vendeve, si një bazë e qëndrueshme juridike në konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënive në rrafshin dypalësh politik, ekonomik dhe social, në rrafshin ndërkombëtar për forcimin e paqes, sigurimit dhe luftës të përbashkët kundër të gjitha sfidave me të cilat përballet bota sot dhe në atë rajonal si një kontribut i përbashkët për krijimin në Ballkan të klimës politike e sociale të favorshme për ndërtimin e paqes, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit". Në këtë funksion bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për kontributin dhe bashkëpunimin në kuadër të organizmave ndërkombëtare ku aderojnë.
Gjithashtu dy autoritetet kanë biseduar mbi zhvillimin e marrëdhenieve në fushën ekonomike, infrastrukturë dhe veçanërisht mbi nxitjen e projekteve në fushën e energjisë.
Zoti Nano, duke u shprehur për zhvillimet dhe prioritetet e qeverisë shqiptare, theksoi se integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike përbën një prej objektivave strategjikë të qeverisë shqiptare. "Vendet tona nëpërmjet integrimit kërkojnë t'i bashkohen avancimit të zhvillimit për më shumë prosperitet ekonomik, për forcimin e shtetit ligjor dhe për të kontribuar më shumë në sigurinë e përbashkët".
Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, dy bashkebiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rolin konstruktiv dhe moderator të Shqipërisë në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit. Duke u ndalur në këtë çështje zoti Nano tha se "tashmë ka ardhur koha t'i jepet fund paradoksit të sotëm në Ballkan të 7 kryeqyteteve dhe 5 shteteve, sepse dhe në Prishtinë ashtu dhe Podgoricë ka Parlamente të votuara drejpërdrejtë nga populli në mënyrë demokratike".
Në këtë kuadër, zoti Nano vlerësoi zhvillimet progresive në Kosovë, në mënyrë të veçantë në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në përputhje me frymën e demokracisë europiane. Gjthashtu zoti Nano tha se vendosja e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis komuniteteve do të nxisë dialogun multietnik në Kosovë. Statusi me standartet në Kosovë është proces i rëndësishëm për të ardhmen e saj në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.