Panajot Pano, “Nderi i Kombit” mbush 70 vjec Legjenda e futbollit shqiptar dhe e Partizanit mbushi 70 vjeç, dekorohet nga Presidenti i Republikës me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”, i pari sportist që e merr atë Bekenbauer: “Nëse Pano ndosht

“Nëse Panajot Pano ndoshta nuk mund të më kujtojë më, unë e kam parasysh atë gjithmonë”, - është shprehur dikur për shtypin gjerman “Kaizeri”, Franc Bekenbauer, legjenda e madhe e futbollit botëror dhe Gjermanisë, për atë performancë të jashtëzakonshme “Jotit” në ndeshjen e Shqipërisë kundër Gjermanisë në vitin 1971.
“I shpejtë si era, energjik, depërtues, i papërmbajtshëm, bomber i vërtetë”. Këto janë disa nga përcaktimet e bëra nga gazetarët dhe radiokronistët e kohës, për Panajot Panon, legjendën e futbollit shqiptar dhe ish-futbollisti i famshëm i Partizanit, që, gjatë karrierës së tij futbollistike, njeriun që ka luajtur mbi 700 ndeshje, 100 prej të cilave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato miqësore të klubeve dhe ekipeve Kombëtare dhe Olimpike, mbushi të shtunën rrumbullak 70 vjeç.
I zbuluar nga “profesori pa diplomë”, Xhavit Demneri, “Pushkashi i vogël” shqiptar, i cili e “braktisi fushën e blertë” 35-vjet më parë, në vitin 1975, u nderua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me medaljen “Nderi i Kombit” - medalja e tij e tetë personale - gjatë një ceremonie dinjitoze të organizuar në Pallatin e Brigadeve.
“Panjot Pano nuk ka qenë vetëm një personazh brilant i sportit, por ka qenë është dhe, besoj se jeni dakord, që është një njeri shumë i respektuar, një njeri me të gjitha parametrat qytetare”, - u shpreh Topi, një ish-president nderi i Klubit të Futbollit “Tirana”.
Vetë sportisti më popullor në Shqipëri, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Panajot Pano tha pas marrjes së titullit: “Dua të them se kam jashtëzakonisht shumë emocione, emocione të mëdha, sidomos me këtë President që jam sot. Më mirë të kisha luajtur ndonjë ndeshje ndërkombëtare. Ju faleminderit shumë zoti President për këtë nder që më bëtë! Faleminderit Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kolegëve të mi, që më kanë ndihmuar në të gjithë sferën e futbollit dhe gjatë gjithë karrierës time sportive”
Në kujtimet e një tjetri emri të madh të sulmit shqiptar, Refik Resmjes, 9-herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë dhe rekordmeni absolut përsa i përket golave të realizuar në një kampionat të vetëm, 59 të tillë në kampionatin e vitit 1951, Pano përshkruhet kështu në “Visaret e sportit shqiptar”(autorë Ismet Bellova e Lluka Heqimi): “Pano ka qenë i shkëlqyer, driblues e depërtues i shpejtë si vetëtima, mjaft i rrezikshëm” .
Ish-portieri i Partizanit e Kombëtares, Mikel Janku, bashkëkohës i Jotit e “tepron”: “Është një mit i futbollit tonë, mund ta krahasoje me Pelen, Eusebion, Mylerin e Rivelinon. Për 18 vjet ka qenë i pakrahasueshëm, i papërsëritshëm, i adhuruar dhe i dashuruar nga mijëra zemra, që kanë rrahur për lojën e futbollit në çdo anë të Shqipërisë”. Besim Fagu, një tjetër emër i madh e ka cilësuar Panon si një “futbollist madhështor e si një talent të rrallë. Në rreshtin e parë e në piedestalin e nderit ku qëndrojnë Riza Lushta, Loro Boriçi e Refik Resmja”.
Me katër kampionate të fituara (1961, 1962-1963, 1963-1964) dhe pesë Kupa të Shqipërisë (1961, 1964, 1966, 1968, 1975), Panajoti u shndërrua në një ikonë të futbollit shqiptare dhe në idhull të rinisë vendase dhe lider i padiskutueshëm i skuadrës së kuqe.
Panajot Pano, një kampion Ballkani, pohon se mbeti i zhgënjyer nga puna e rusit Lukshinov dhe rumuni Balanasku. Në nëntor të vitit 2003, me rastin e jubileut të UEFA-s, ai u shpall “Lojtari i artë” i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin 2005, ai u shpall “Futbollisti i më i mirë i shekullit”, një listë kjo e publikuar nga FIFA me 100 sportistë nga një për çdo vend.
EKIPET
1955-1957: “17 nëntori” (të rinjtë)
1957-1959: “17 nëntori” (të rriturit)
1960-1975” Partizani
1962: Dinamo (për Kupën Ballkanike)
TROFE KOLEKTIVË
4 herë më Partizanin: 1961, 1962-1963, 1963-1964, 1970-1971
5 herë fitues i Kupës së Shqipërisë: 1961, 1964, 1966, 1970, 1973
TROFE INDIVIDUALË
3 herë golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar: 1960 (12 gola), 1961 (17 gola), 1969-1970 (17 gola).
MEDALJET NDËRKOMBËTARE
Medalje argjendi në Turneun e Ushtrive të Lindjes, Hanoi 1963
TITUJ SPORTIVË
“Mjeshtër Sporti”
“Mjeshtër i Merituar i Sportit”
“Nder i Sportit Shqiptar”
DEKORATAT
Urdhri i Artë “Mjeshtër i madh”
Urdhri i Punës i Klasit të II-të
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të III-të
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të II-të
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të I-rë
Urdhri i Artë “Naim Frashëri”
Medalja e Meritës për 100-vjetorin e FIFA-s
Medalja “Nderi i Kombit”
I ZGJEDHUR
President Nderi i Klubit të Futbollit “Partizani”
President Nderi i FSHF-së
“LOJTARI I ART˔
Pano është një nga 52 fituesit e çmimit “Golden Player” apo “Lojtari i artë” (të fituar nga një lojtar për çdo vend) dhënë nga UEFA në vitin 2003. Kjo listë me 52 lojtarët më të mirë të kontinentit u hartua me rastin e 50 vjetorit të qeverisë europiane të futbollit dhe nëeë tillë të mëdhënj si italiani Dino Xof, portugezi Eusebio, bullgari Hristo Stojçkov, gjermani Fritz Valter, hungarezi Ferenc Pushkash, anglezi Bobi Mur.
OFERTAT E PAREALIZUARA
Pano ka luajtur dhe ka shkëlqyer kundër lojtarëve të mëdhenj nga Gjermania, Jugosllavia, Polonia, Turqia apo Bullgaria. Ish-sulmuesi i madh nuk mundi të luajë për asnjë ekip të huaj, edhe pse pati disa oferta nga vëzhgues nga Gjermania, Holanda, Danimarka, Zvicra, Irlanda e Veriut, apo Turqia, të ardhur së bashku me ekipet e tyre Kombëtare për llogari të klubeve të huaja.
KARRIERA SI TRAJNER
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, “mjeshtri i topit” drejtoi për disa kohë si zëvëndëstrajner Partizanin, me të cilin fitoi në vitin 1979 titullin kampion, të cilin e përsëriti në vitin 1981, por edhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1980. Por Pano, me origjinë familjare nga Delvina drejtoi si trajner i parë Butrintin e Sarandës.
Nofkat e Jotit, nga “Pele” te “Gerd Myleri” shqiptar
Panajot Pano, 70 vjeç, është lindur në Durrës, më 7 mars të vitit 1939, por prindërit e tij janë me origjinë nga Delvina. Ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë.
Djaloshi Pano e nisi karrierën e tij si portier, por cilësitë e tij të ralla e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon. Dikush në Shqipëri e quan një “Pele shqiptar”, një tjetër një “Pushkash i vogël”. Një i tretë e konsideron magjistar përpara portës si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”. Një i katërt e konsideron futbollistin si një “viktimë të komunizmit”, që i mbylli rrugën drejt Beshiktashit të Stambollit. Por, Pano, tashmë 70 vjeçar e quan veten thjesht: një futbollist. Ndërsa ekspertët: një gjeni. Shifrat flasin: afërsisht 700 ndeshje, 100 prej tyre ndërkombtare (miqësore e zyrtare); 400 gola në Shqipëri dhe rreth 50 gola ën ndeshjet ndërkombëtare. I pari që dalloi cilësitë e jashtëzakonshme të nxënësit 13-vjeçar të shkollës “10 Korriku” dhe e inkuadroi në një ekip sportiv ishte ish-trajneri i ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Adem Karapici. Iljaz Dingu dhe Fadil Bakalli i japin mësimet e para për futbollin, ndërkohë që ishte merita e Xhavit Demnerit, i cili e gjeti djaloshit virtuoz pozicionin e sulmuesit te të rinjtë e “17 Nëntorit”, ku fitoi titullin kampion në vitin 1957 dhe u shpall golashënuesi më i mirë me të rinjtë. Një tjetër trajner, Myslim Alla, e thirri Panon shtatshkurtër (168 cm) në ekipin e parë (atëherë 17 vjeç), ku luanin atëherë emra të mëdhenj si Fatmir Frashëri e Skënder Halili, Naim Balla, Fred Rruxho, Stefan Pavli. Ylli i Panos shkëlqeu shumë shpejt dhe “Partizani”, ndaj të cilit shënoi dy golat për Tiranën në humbjen 4-2, duke shfrytëzuar edhe thirrjen për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak e rekrutoi në radhët e skuadrës së drejtuar nga trajneri Rexhep Spahiu, i cili i gjeti përfundimisht vendin e duhur golashënuesit të ri, si sulmues i djathtë, me të cilin fitoi edhe titullin e parë në kampionatin e vitit 1961. Legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi, ishte edhe trajneri që morri maksimunin nga xhevari tij i vogël. Partizani drejtohet nga Ilia Shuke, e më pas nga Refik Resmja, të cilët besuan shumë të cilësitë e jashtëzakonshme të Panajotit. Pano, i vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ishte një nga lojtarët kryesorë të kohës së tij.
50 stadiumet ndërkombëtarë të Panos
Bari i 50 stadiumeve anë e mbanë Europës është shkelur nga “këpuca e rëndë” e Panos. Sulmuesi brilant ishte një emër i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Stadiumet e Moskës, Leningradit (sot St. Petërburgu) në Rusi, Torinos në Itali, Amsterdamit në Holandë, Gllazgout në Skoci, Budapestit në Hungari, Stambollit në Turqi, Bukureshtit në Rumani, Sofjes në Bullgari, Varshavës në Poloni, Brukselit në Belgjikë i dhanë një famë të pamatë lojtarit më të dalluar të viteve 1960-1970, i cili fitoi edhe medaljen e argjendtit me skuadrën e Partizanit në Turneun e Laipcigut (1960) në ish-Gjermaninë Lindore dhe Hanoit (1963) në Vietnam. Golat kundër ekipeve të huaja janë të shumtë. Në Kupën e Fituesve të Kupës në edicionin 1970-1971, Pano shënoi një gol kundër Atvitabergut suedez në raundin eliminator dhe dy gola kundër Vaker Insbrukut në 1/16. Paraqitja e parë ndërkombëtare e Panos në rang skuadrash kombëtaresh i përket kualifikueseve të Lojërave Olimpike 1964, më 2 qershor 1963, kur Shqipëria e drejtuar nga Loro Boriçi humbi në Tiranë me Bullgarinë 0-1, ashtu si në ndeshjen e kthimit në Sofje, po me rezultatin 1-0 (16.06.1963). Në kualifikueset e Lojërave Olimpike, Pano e shënoi golin e parë kundër Rumanisë, në atë humbje 1-2, më 26.05.1971 në Tiranë. Shqipëria ishte sërish nën urdhërat e Loro Boriçit, i cili e ndërtoi skuadrën përfaqësuese rreth Panos (24 ndeshje me fanellën kuqezi 24 ndeshje në periudhën 1963-1973). Pano ishte pjesë e skuadrës shqiptare në eliminatoret e Euro 1964, kundër Danimarkës (të humbur 4-0), më 29.06.1963, që ishte edhe takimi i parë i Shqipërisë në një Kampionat Europian. Midis ndeshjeve të tjera të paharrueshme për numrin 10 të Partizanit janë ato me Danimarkën në Tiranë, Shqipëria fitoi 1-0 (30.10.1963) pikërisht me golin e Panos në minutën e 3-të. Viti 1964 e rreshton Panon në dy ndeshje e humbura me rezultatin 2-0 kundër Holandës (24.05.1964 dhe 25.10.1964). Në vitin 1965, për eliminatoret e Kupës së Botës 1966, Zvicra shtohet në listën e Panajotit: dy humbje 0-2 në Tiranë dhe 1-0 në Gjenevë. Dhe po në këtë vit Shqipëria humbi 4-1 me Irlandën 4-1 (07.05.1965, goli i Robert Jasharit) dhe barazoi në Tiranë 1-1 (gol i Mehdin Zhegës). Kundër Gjermanisë (0-0, më 17.12.1967) së Helmut Shënit, Pano e nxorri jashtë loje mbrotjësin gjerman Villi Schulz, por dhe Gjermania nuk u kualifikua për Euro 1968. Viti 1971 solli një tjetër përplasje të madhe midis Shqipërisë e Gjermanisë. Lojtari që u ngarkua nga trajneri Helmut Shën për të bllokuar veprimet sulmuese të Panos, nuk ishte askush tjetër, por Franz Beckenbauer.
Pano: “Si e shënova golin e parë të Shqipërisë në Europë”
Dyzet e pesë vjet më parë, më 29 qershor 1963 në Kopenhagen nisi edhe aventura e Shqipërisë në Kampionatet Europiane, atë Euro 1964, finalet e të cilit u zhvilluan në Spanjë, dhe u fituan po nga toreadorët. Në fakt, shorti i eliminatoreve të Euro 1964, e vuri Shqipërinë përballë Greqisë, por fqinjët tanë refuzuan të luanin kundër nesh, duke vendosur si pretekst “Ligjin e luftës”, që ekzistonte midis dy vendeve.
Me një “kualifikim” të dhuruar, kombëtarja jonë u vu përballë Danimarkës në Kopenhagen, njëherësh edhe ndeshja e parë e luajtur në fushë në Kampionatin Europian. Humbje shokuese 4-0, më 29 qershor 1963, ku goli i parë i danezëve si për “tersllëk” u realizua nga pika e bardhë nga ana e Jens Petersenit (16’). Madsen (35’), Klauzen (40’) dhe Enoksen (49’) mbyllën hesapet me portierin Sulejman Maliqati dhe skuadrën e trajnerit Loro Boriçi në aventurën e parë.
Katër muaj më pas, më 30 tetor 1963, Shqipëria u paraqit në “Qemal Stafa” me Zyber Konçin në bankinë dhe Shefqet Topin në portë. Entuziazmi i jashtëzakonshëm në një stadium tërësisht të shitur prodhoi edhe golin e parë historik të Shqipërisë në Europë. Goli i parë në eliminatoret e një Kampionati Europian i përket legjendës Panajot Pano (atëherë 24 vjeç), vetëm tre minuta nga fillimi i takimit, i cili vulosi edhe fitoren e parë të Shqipërisë në Europë.
Legjenda Panajot Pano është edhe autorit i golit të parë të Shqipërisë në Europë, që firmosi edhe fitoren e parë të Kombëtares sonë në eliminatoret e Kampionatit Europian. Një gol në fitoren 1-0 me Danimarkën, në tetor të vitit 1963. Panajot Pano e përshkruan kështu golin historik të kuqezinjve: “Nuk ka gol pa vlerë se fundja për atë luhet futboll. Për të shenuar apo per te mos peëuar...Goli im me Danimarkën në Tirane pati një vlerë të madhe se u shënua shumë shpejt (3') dhe publiku i pranishëm në “Qemal Stafa” u ndoq nga e gjithë Shqiperia, për më tepër që e kane ndjekur të gjithë ndeshjen me kënaqisi, pasi dolëm në fund si fitimtarë. Goli erdhi pas një pasim të Lin Shllakut nga e majta e sulmit tonë. Kam dribluar dhe sa i jam afruar tek zona e 16-shes në krahun nga tribuna qendrore kam gjuajtur rrufeshëm në krahun e djathtë të portës daneze nga ana e qytetit. Portierit i ka kaluar topi nën duar se ishte fare rrafsh me tokën dhe me shpejtësi shumë të madhe, pasi e godita plotësisht e fuqishëm. Ishte goli i parë në shkallë europiane dhe ndaj një skuadre shume të forte e cila u rendit e 4-ta në Europë. Të mos harrohet edhe fakti tjetër: ne nuk pësuam gol”, - deklaroi gjatë para disa kohesh për “Albania-spot.com”, presidenti i nderit të FSHF-së.
Për “sportistin shqiptar të shekullit të kaluar” ai konsiderohet edhe si goli më i bukur i i tij, që përkoi me ndeshjen e parë me përfaqësuesen, karrierë që përfundoi pas 20 vjetësh, më 7 nëntor 1973, në ndeshjen miqësore me përfaqësuesen kineze. Në 24 ndeshje (12 për kampionatet europiane) “Pushkashi i vogël” shqiptar realizoi 4 gola me përfaqësuesen dhe nga 34 gola ndërkombëtarë të “stilit Pano” me Kombëtaren, Tiranën e Partizanin, ku 11 gola i përkasin “vitit të artë 1963”.
E Shtune, 07 Mars 2009