Vata: “Madhëruell kujdes, Flamurtari ka ndalur Barcelonën!”“Nga ajo çfarë di nga futbolli shqiptar dhe skocez, mendoj se Madhëruell do të jetë më i fuqishëm nga ana fizike dhe kjo do të jetë një faktor vendimtar”, - tha Vata, një ish-futbollis

Rudi Vata, ish-mbrojtësi i Sëlltikut në Skoci, tashmë një prej agjentëve të njohur shqiptarë të FIFA-s, paralajmëroi përmes agjencisë britanike “BBC”, se Madhëruell nuk do ta ketë aspak të lehtë me Flamurtarin, madje ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare pohon se bashkëkombasit e tij janë të bindur në fitore. “Herën e fundit që (Flamurtari) luajti në Europë, luajti katër herë kundër Barcelonës dhe dolën të pamundur në tri ndeshje”, - tha Vata.
“Geri Lineker luajti në ato takime, ku ndeshjet shkuan 1-1 (në Vlorë) dhe 1-0 (në Barcelonë). Fansat shqiptarë mendojnë se tani është koha për të pasur një shans tjetër dhe se ekipi (Flamurtari) mendon se Madhëruell nuk është një klub aq i madh”. Madhëruell në fakt, është “gjymtuar” nga përfundimi i kontratës së një numri lojtarëve, dhe në ndeshjen e parë kundër Lanelit në shtëpi pësoi një humbje shokuese 1-0, përpara se të rikuperonin me fitoren 3-0 në ndeshjen e kthimit në transfertë.
“Nga ajo çfarë di nga futbolli shqiptar dhe skocez, mendoj se Madhëruell do të jetë më i fuqishëm nga ana fizike dhe kjo do të jetë një faktor vendimtar”, - tha Vata, një ish-futbollist i Kombëtares shqiptare. “Flamurtari është një ekip me lojtar të rinj, të cilët u promovuan në Ligën e Parë shqiptare para dy sezonesh. Fitoi Kupën (e Shqipërisë), por nuk bëri një sezon të madh. Ka disa lojtarë të rinj të talentuar, që u pëlqen të luajnë futboll, por që nuk kanë asnjë eksperiencë në fazën evropiane. Klubi nuk ka qenë në Europë prej një kohë, por herën e fundit që ka luajtur e ka bërë atë shumë mirë dhe ëndërrojnë ta bëjnë sërish tani”.
Në sezonin 1985-1986, Flamurtari barazoi 0-0 me Barcelonën në “Kamp Nou” për Kupën UEFA dhe u eliminua nga një gol i vonshëm në ndeshjen e dytë (1-1), që solli edhe eliminimin e vlonjateve nga ky aktivitet. Po në këtë Kupë, më pas, pas eliminimit të Vismut Aue e Partizanit të Beogradit, shorti i vendosi vlonjatët sërish kundër katalanasve, fitoi 1-0 në Vlorë dhe humbi 4-1 në Barcelonë. Vata pohoi se stadiumi i Flamurtarit do të jetë i mbushur plot dhe se temperaturat shumë të larta e të lagështa, mund të ndihmojnë skuadrën vendase ndaj skocezëve të mësuar me temperatura relativisht më të freskëta. Flamurtari-Madhëuell do të luhet, më 16 korrik 2009, ndërsa ndeshja e kthimit një javë më pas në Skoci.
E Shtune, 11 Korrik 2009