Qerfozi, një “Ronaldo” shqiptar në ZvicërAndi Qerfozi së fundi u testua nga trajneri i Kombëtares U-17 shqiptare, Sulejman Demollari. Sipas ish-kapitenit të Dinamos e përfaqësueses shqiptare, Andi dallohet për nuhatjen drejt portës, ndërkohë që

Andi Qerfozi është një nga talentet e rinj shqiptarë që po rritet në Zvicër, te skuadra e njohur e FC Wil. 14-vjeçari, djali i një volejbollisti të njohur, Grigor Qerfozit, luan në rolin e qëndërsulmuesit dhe atë të mesfushorit të djathtë, është “dashuruar” me futbollin qysh në moshën tetë vjeç, duke u bërë pjesë e gjithë skuadrave të moshave të Ëil, nga U-9 e deri tani te U-14, teksa në gjurmët e tij është edhe vëllai më i vogël, Enio Qerfozi (U-10).
Andi Qerfozi së fundi u testua nga trajneri i Kombëtares U-17 shqiptare, Sulejman Demollari. Sipas ish-kapitenit të Dinamos e përfaqësueses shqiptare, Andi dallohet për nuhatjen drejt portës, ndërkohë që një tjetër ish-trajner i Kombëtares kuqezi, Neptun Bajko, e vlerëson Qerfozin për teknikën speciale të gjuajtjes.
Në grupin 1 të kampionatit zviceran U-14, “bomberi i vogël” shqiptar(dtl. 9.12.1995, 160 cm), shënoi 9 nga 17 golat e skuadrës së Wil-it. Kampionati i kësaj moshe në Zvicër ka 42 skuadra të ndara në katër grupe, ku grupi ku bën pjesë edhe Wil i përket Zvicrës lindore.
“Këtë vit si skuadër bëmë një paraqitje të mirë në kampionat, ku dhe unë dhashë kontributin tim. Një ndihmë të madhe më kanë dhënë të gjithë trajnerët e moshave, me të cilët kam punuar, e së fundi dhe trajneri i U-14, Dejan Saviç. Sezonin e ardhshëm do të luaj për U-15, dhe trajner do të jetë një holandez”, - thotë për Albania-sport.com, Qerfozi, i qethur “ala Ronaldo”.
“Më pëlqejnë futbollistët që e kanë të lindur aftësinë për të shënuar gola. Idhujt e mi, janë si të gjithë sulmuesve të moshës sime, braziliani Ronaldo, por dhe Zlatan Ibramoviçi i Interit”, - tha Qerfozi me një theks francez pas testimeve më Kombëtaren U-15, teksa në albumin e tij ndodhet edhe një foto-kujtim me presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, të fiksuar pikërisht pas hedhjes së shortit të kësaj kupe sezonin e kaluar në Zvicër, kur Partizanit, nënkampion të sezonit 2007-2008, i ra si kundërshtar Shiroki Brijeg.
Edhe pse vetëm 14 vjeç, Andi ka marrë pjesë në disa turne ndërkombëtarë, ku Wil-i është ndeshur me skuadra të tilla si Milan, Atalanta, Slavia e Pragës, Spartakut të Moskës, Shtugardit, Hertës së Berlinit, Soshosë, Austrisë së Vjenës. “Kësaj të fundit, i kam shënuar dy gola në fitoren 2-1 të ekipit tonë. Në fillim të muajit gusht, do të kemi një tjetër turne ndërkombëtar, ku marrin pjesë përveç disa ekipeve zvicerane, edhe Kombëtarja e U-14 e Kamerunit, Honvedi i Budapestit”, - përfundon “Ronaldoja” i vogël shqiptar.
E Premte, 17 Korrik 2009