E Martë, 3 Nëntor 2026

1 Maji – Dom Gjergj Meta: Jo abuzimit dhe diskriminimit në vendin e punës

Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Dom Gjergj Meta ka bërë thirrje për të shmangur abuzimin dhe diskriminimin në vendin e punës. Presidentit të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë u shpreh se në këtë ditë kujtohen edhe të gjithë ata persona që kanë humbur jetën në punë, duke bërë tirrje për rritjen e  sigurisë së punonjësve.

“Puna në radhë të parë fisnikëron njeriun, i jep atij dinjitetin dhe i sjell familjes dhe individit të ardhurat për një jetesë të dinjitetshme. Ajo nuk mund të jetë vetëm një mjet fitimi i punëdhënësit, por mbi të gjitha një instrument që e bën më të mirë shoqërinë. Nderim dhe respekt për të gjithë ata që punojnë e fitojnë me djersë dhe me mund duke u garantuar familjeve të tyre dinjitetin e një jete të qetë. Po ashtu edhe për ata punëdhënës që respektojnë dinjitetin e punëtorëve e punëtoreve të tyre, duke i paguar sipas standardeve dhe duke u krijuar kushte pune që mbajnë parasysh nevojat e tyre jetësore.

Nga ana tjetër, në ditën e punëtorëve, mendimi ynë është edhe për viktimat e bardha që gjejnë vdekjen në vendin e punës nga mungesa e parametrave të sigurisë. Po ashtu ata punëtore e punëtorë që shfrytëzohen, janë të nënpaguar ose punojnë me orare e kushte që nuk respektojnë dinjitetin e punëtorit, diskriminohen apo nuk u jepet vendi i merituar i punës. Në mënyrë të veçantë gratë dhe nënat që shpesh janë viktima të abuzimit në vendin e punës, të përçmimit apo diskriminimit”, shkruan Dom Gjergj Meta.

Duke folur për fenomenin e diskriminimit, keq pagimit dhe shfrytëzimit në vendin e punës, Dom Gjergj Meta tha se politika duhet të ndërmarrë politikat e duhura për përmirësimin e kushteve të punonjësve.

“Shpesh në Shqipëri fenomene si shfrytëzimi, nënpagesa, abuzimi në vendin e punës, klientelizmi për punësim, diskriminimi, gjenden të fshehura e pak të trajtuara nga mediat apo nga politika. Duhet më shumë vëmendje dhe guxim në këtë drejtim nga ana e të gjithëve.

Sot Kisha përkujton Shën Jozefin punëtor. Jezusi u rrit në familjen e tij, bashkë me Jozefin e Marinë, me respektin për punën dhe punëtorin. E sot në këtë ditë Kisha shpreh nderimin e saj dhe lutet për çdo njeri që punën e ka instrumentin kryesor të mbajtjes së familjes dhe të jetesës së saj. Shën Jozefi punëtor lutu për ne”, përfundon Dom Gjergj Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›