E Diel, 1 Nëntor 2026

1 Qershori Berisha dhe Rama urojne femijet

"Qeveria do të shumëfishojë forcat për të kapërcyer pasojat e diskriminimit për fëmijët romë dhe egjiptianë, por në tërësi një kujdes maksimal duhet adresuar drejt fëmijëve të pakicave". Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit Sali Berisha në aktivitetin e organizuar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 1 Qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve.
Ndërsa theksoi se shoqëria shqiptare është thellësisht e detyruar ndaj fëmijëve të komunitetit rom dhe nuk duhet të harrojë barrën e rëndë të diskriminimit shekullor që rëndon mbi paraardhësit e tyre.

Duke e konsideruar 1 Qershorin si ditën e së ardhmes, Kryeministri Berisha u shpreh: "Uroj që Shqipëria të ndërtohet ashtu siç ata kanë të bukur ëndrrën e tyre. Të bëjmë gjithçka për një të ardhme që këta fëmijë meritojnë”.

Për kryeministrin Berisha shoqëria shqiptare ka mundësi dhe është e aftë që të bëjë gjithçka për cilësinë e edukimit të tyre dhe për të garantuar kushte jetese më të mira dhe një të ardhme më të mirë se sa gjeneratat para tyre.

Në këtë aktivitet ishin të pranishme dhe zonja Liri Berisha si dhe zonja e parë e vendit Odeta Nishani.

Rama me fëmijët jetimë në Vlorë, premton të ardhme më të mirë
Ndërkohë kryesocialisti Edi Rama dhe njëherësh kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës, i shoqëruar edhe nga kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika kanë përzgjedhur shtëpinë ku strehohen fëmijët jetimë të këtij qyteti për t’i uruar gjithë fëmijëve shqiptarë 1 Qershorin.

“Bashkë me kryetarin e Bashkisë vendosëm që sot këtë 1 qershor ta festojmë tek jetimorja me fëmijët jetim dhe më fëmijët e tjerë të lagjes me dëshirën e madhe duke i uruar 1 Qershorin fëmijëve të zotohemi se do bëjmë më shumë, për të gjithë fëmijët e Vlorës, për fëmijët që kanë nevojë për kushte më të mira, ne çerdhe kopshte shkolla lagje, kanë nevoje për hapësira dhe aktivitet që t’i shërbejnë mirë rritjes së tyre”, tha Rama.

Kryesocialisti shpërndau edhe dhurata për fëmijët si kompjutera të vegjël, ndërsa shtoi se tabletat elektronike do të sjellin risi për shkollën, teksa nuk shmangu edhe premtimin elektoral se brenda 4 viteve të ardhshme shkolla e mesme dhe më pas ajo 9-vjecare do të pajisen me tableta elektronike që së shpejti mund të zëvendësojnë librat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›