E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 vit pa Solzhenjicinin

Kritiku letrar, Antonio D‘Orrico, e ka cilësuar Aleksandër Solzhenjicinin dhe rolin e tij në vitet ‘900, si tepër të rëndësishëm. Jo vetëm për historinë e letërsisë, por për historinë e gjithë botës, rëndësia që pati ky njeri ishte e pafundme. "Ka qenë ky shkrimtar rus që thuajse i vetëm rrëzoi socializmin real, e madje edhe gjithë filozofinë nga frymëzohej ky sistem. Ishte një ndërmarrje titanike. Ndoshta e keni pyetur ndonjëherë veten se për çfarë na duhet letërsia. Ja ku po e them, letërsia në disa raste mund të shërbejë pikërisht për këtë arsye, të shembë një regjim, të thyejë një perandori. Dhe nuk është një ekzagjerim. Mjaft të mendosh për jetën e Solzhenjicinit, para se të lexohet vepra e tij, mjaft të shikosh librat e tij, të renditura mbi një tavolinë si natyrë e vdekur para se të kuptosh thjesht dhe vetëm atë që ka ndodhur. Solzhenjicin është një forcë e vërtetë, që për fat të keq, nuk është i njohur aq sa ç‘meriton të jetë", ka thënë ai. Sot, është një vjetori i vdekjes së Aleksandër Solzhenjicinit. Fituesi i çmimit "Nobel" për letërsinë, ndërroi jetë vitin e shkuar në moshën 89-vjeçare. Ai ishte ikonë e shekullit XX, "shekullit të shkurtër", siç e kanë quajtur shpesh. Shkrimtar, dramaturg, historian Aleksandër Solzhenjicini përjetoi historinë ruse të shekullit të shkuar që i la plagë të thella të totalitarizmit komunist. Shkrimtari, që kishte lindur thuajse një vit pas Revolucionit Rus, rrëfeu vuajtjet më tragjike të cilat i përjetoi mbi kurriz në vendin e tij, në kampet e punës. Aty, Solzhenjicini u dënua në vitin 1945, pas një letre që i kishte dërguar një mikut të vet në të cilën kritikonte Stalinin. U dënua me tetë vite punë të detyruar. Prej kësaj eksperience lindën edhe veprat që e bënë të njohur, një ikonë të disidencës ruse dhe të antikomunizmit: "Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviç", "Rrethi i parë" dhe mbi të gjitha "Arkipelagu i Gulagut". Çmimin "Nobel" për letërsinë e fitoi në vitin 1970, dhe katër vite më pas u dëbua nga Bashkimi Sovjetik. Pasi la atdheun, jetoi në Gjermani, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U kthye në atdhe në vitin 1994, pas shpërbërjes së Perandorisë Sovjetike, por nuk i kurseu kritikat për evolucionin e Rusisë dhe të Perëndimit që për të duhet të ktheheshin te vlerat morale tradicionale.

Pjesën e parë të dënimit në Gulag, Solzhenjicini e kaloi në një qendër speciale për studimet shkencore e cila varej nga Ministria e Sigurimit të Shtetit. Prej kësaj eksperience lindi "Rrethi i parë". Në vitin 1950 u transferua në një kamp special për të burgosurit politikë. Gjatë qëndrimit në kamp punoi si minator, murator etj. Kështu lindi edhe "Një ditë në jetën e Ivan Denisoviç". Nga marsi i 1953-it, Solzhenjicini nis një fazë internimi në jug të Kazakistanit. U sëmur me tumor, sëmundje që e çoi shumë pranë vdekjes. Prej kësaj eksperience lindi "Pavijoni i kancerozëve". Për pasojë të gjithë këtyre vuajtjeve ai braktis marksizmin për pozicionim më filozofik e fetar; gjithë ky ndryshim gjen një paralele interesante me një tjetër shkrimtar të madh rus, Dostojevskin. Edhe ai pas një burgosjeje në Siberi rreth 100 vite para Solzhenjicinit, zgjodhi të tillë pozicionimi. Gjatë këtyre viteve në internim, por edhe kur u kthye ne Rusinë Europiane, Slozhenjicin ditën lodhej duke punuar ose duke dhënë mësime, natën e kalonte duke shkruar fshehtazi. Ai vetë pat thënë se "deri në vitin 1961 jo vetëm që isha i bindur se nuk do të mund të shihja më asnjë rresht të shtypur mbi një fletë të bardhë në jetën time, por me shumë vështirësi guxoja të lejoja ndonjë prej të njohurve të mi të afërt të lexonte atë që shkruaja. Kisha frikë se mos i zbulonin".

Por ai shkroi e madje edhe arriti të publikonte. Në vitin 1970 Solzhenjicin u vlerësua me çmimin "Nobel" për letërsinë. Asokohe, ai nuk mund të shkonte e ta tërhiqte personalisht çmimin në Stokholm, sepse kishte frikë se mos nuk kthehej dot më në familjen e tij, në Bashkimin Sovjetik. Propozoi që çmimin ta merrte në një ceremoni speciale në ambasadën suedeze në Moskë, por qeveria e Suedisë refuzoi sepse trembej se mos ndoshta një ceremoni e kësaj natyre, por edhe mbulimi mediatik që do t‘i bëhej asaj mund të turbullonin marrëdhëniet diplomatike mes Suedisë e Bashkimit Sovjetik. Solzhenjicin, e tërhoqi çmimin "Nobel" në vitin 1974, pasi u dëbua prej "familjes së tij të madhe". "Arkipelagu Gulag" është një denoncim i pastër dhe i hapur, në mos më i hapuri i universit të kampeve të përqendrimit. Përveç eksperiencës personale Solzhenjicin mblodhi edhe dëshmitë e 227 ish të burgosurve, si dhe zhvilloi disa studime mbi historinë e sistemit penal sovjetik. Për shkak të popullaritetit që fitoi edhe në Perëndim Solzhenjicini vazhdoi të dënohej prej regjimit sovjetik. Ai mund të kishte emigruar edhe para dëbimit, por gjithnjë kishte shprehur dëshirën për të qëndruar në mëmëdhe dhe të punonte së brendshmi për ta ndryshuar. E pavarësisht dëbimit, shërbimi sekret rus, KGB-ja e famshme vazhdonte të persekutonte shkrimtarin e madh. Ajo vazhdonte përpjekjet për ta bërë të heshtë shkrimtarin më të shquar rus bashkëkohor, duke e implikuar në komplote kriminale. Për shembull, KGB-ja u përpoq t‘u shiste botuesve perëndimorë, me të ashtuquajturën kërkesë të Aleksandër Solzhenjicinit, dorëshkrime që mund ta çonin në burg nën akuzën për propagandë antisovjetike. KGB-ja vepronte kaq fshehtas saqë askush, dhe Solzhenjicini më pak se kushdo tjetër, nuk mund të dyshonte për rolin e fshehtë të policisë në këto rrethana. Që prej dëbimit të tij nga Bashkimi Sovjetik në shkurt të vitit 1974, shkrimtari ka zbuluar një nga komplotet për arrestimin e tij për tradhti. Në një vëllim të autorit Xhon Barron, titulluar "Veprimtaria e errët e KGB-së dhe një dëshmi e Solzhenjicinit", ardhur në shqip në vitin 1993 nga shtëpia botuese "Arbri", me përkthim të Petrit Sinanit, lexuesi gjen një dëshmi reale të shkrimtarit rus, i cili tregon qartë se si edhe pas largimit nga Bashkimi Sovjetik, ai vazhdonte të vuante persekutimet e radhës.

Solzhenjicini përballë KGB-së

Më 1972, KGB-ja filloi një letërkëmbim në emrin tim me Vazili Orenkovin, drejtor i Shoqatës Kombëtare Ruse. Është fjala për një organizatë të vogël emigrantësh rusë me qendër në Bruksel dhe që merret me historinë ushtarake të Carëve. KGB-ja sajoi me mjete të ndryshme letra ku imitohej shkrimi im. Të parat përmbanin vetëm kërkesa të sinqerta për të dhëna mbi Luftën e Parë Botërore: më pas vinte një sugjerim, gjoja i bërë nga unë që Orenkovi të vinte në Pragë ose të dërgonte dikë në vendin e vet.

KGB-ja filloi t‘i dërgonte këto letra të rreme nga Praga duke përdorur adresën e autorit e psikiatrit shumë të njohur, Zhozef Nesvadba. Pastaj, dukej se ishin dërguar nga një farë Oktar Gorski, i cili jepte si adresë banimi 1, Rruga e Revolucionit, ku gjendej në të vërtetë zyra e turizmit çekosllovak. Numri i telefonit të Gorskit tregonte megjithatë se ai jetonte në një vend tjetër, ku gjendeshin rastësisht ambasada sovjetike e policia sekrete çekosllovake.

Nuk di se deri kur do të shkonte provokimi dhe si do të merrte fund kjo punë po të mos më kishin dëbuar nga BRSS. Me sa duket, qëllimi ishte të arrestonin disa emigrantë rusë të ardhur nga Perëndimi si vizitorë në Pragë dhe të krijonin rreth tyre një çështje kriminale që të provonte se unë mbaja lidhje me organizata emigrantësh. "Lidhje me jashtë" është tema e parapëlqyer e propagandës sovjetike.

Nga fakti që kjo histori, e bazuar në imitimin e shkrimit tim, mund të përsëritet në të ardhmen, vendosa të botoj dokumentet, ku bëhet krahasimi i shkrimit tim të vërtetë me atë të letrave të falsifikuara. Nuk bëhet fjalë për një kopje të përpiktë, por ngjashmëritë mund të të mashtrojnë. Është e qartë që KGB-ja ka pasur shumë lloje të shkrimit tim e firmës që i ka siguruar nga letrat që ka hapur në censurë; po ashtu edhe për adresat, të cilat i ka riprodhuar me kujdes. Ata imituan me shumë mjeshtëri edhe firmën time.

Mund të pritet që këto makinacione të përdoren përsëri nga propaganda sovjetike gjatë fushatës aktuale që synon të falsifikojë të kaluarën time e të më diskretitojë. Pas dëbimit tim nga BRSS, u deklarova zyrtarisht si person "i vdekur". Por kjo gjë nuk e pengoi KGB-në të vazhdonte veprimtarinë e saj kundër meje e kundër miqve të mi.

Meqë agjentët e KGB-së nuk arritën të më shkatërronin, organizuan ditën e dëbimit tim, një proces të vërtetë magjie ku dogjën ritualisht rrobat që kisha veshur në kohën e arrestimit tim. Pastaj më veshën me rroba të vjetra. Të nesërmen një urdhër i brendshëm u shkoi të gjitha bibliotekave që të digjnin ato pak botime të miat që kishin ngelur akoma dhe të hidhnin në karton të gjithë ekzemplarët e revistës "Novi Mir", ku kishte shkrime të miat.

Qysh nga dita e dëbimit tim, kanë filluar kontrollet në shtëpinë e miqve të mi. Në Rrazan, 14 oficerë të KGB-së shkuan te Natalia Radugina. Pati kontrolle edhe në qytete të tjera, ku policia sekrete shpresonte të gjente artikuj të mi. Samizelat, të botuara në shtypin e fshehtë, ose gjithçka tjetër të shkruara nga dora ime. Në Moskë, në shtëpinë e Neonel Snesareves, oficerët e KGB-së, në vend të kontrollit zyrtar organizuan një të ashtuquajtur vjedhje, formë e parapëlqyer nga policia sekrete. Morën me vete gjithçka që kishte të bënte me mua dhe lanë mbi makinën e shkrimit një letër sarkastike: "E duam shumë veprën e Solzhenjicinit saqë po e marrim me vete". Filluan të ushtrojnë trysni sistematike mbi të gjithë njerëzit që dyshonin se ishin miqtë e mi ose edhe të njohur. Më e fundit është persekutimi i profesor Efin Etkinit nga Leningradi, i cili muajin e kaluar u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve, iu hoq titulli akademik, u shkarkua nga funksionet.

Edhe këtu në Zyrih, KGB-ja vazhdon provokimet e saj. Qytetarë sovjetikë që nuk e fshehin aspak origjinën e tyre, më telefonojnë ose më vijnë në shtëpi pa i ftuar. Më paralajmërojnë që të kem kujdes fëmijët. Këto lloj-lloj paralajmërimesh filluan një vit më parë në Moskë me letra të shkruara nga gangsterë mitikë sovjetikë. Pas botimit të "Arkipelagut të Gulagut" paralajmërimet filluan të më vinin edhe nga "patriotë" sovjetikë.

Tani këto paralajmërime vazhdohen nga bashkëbiseduesit e mi në Zyrih, të cilët më thonë me shpirtgjerësi të ruhem nga gangsterët perëndimorë. Por përvoja më ka mësuar se të gjithë gangsterët që parakalojnë në jetën time vijnë vetëm nga e njëjta organizatë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›