Vlora pret librin pas Ulqinit
Pas Ulqinit, botuesit, bashkë me librat e tyre do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku nga data 5 deri më 12 gusht do të çelet Panairi i Vlorës, i cili për shtatë mbrëmje radhazi do të sjellë një atmosferë ndryshe në shëtitoren Vlorë - Skelë. Rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, 5000 tituj të ekspozuar, nga të cilët rreth 600 janë tituj të rinj, një numër i madh krijuesish të njohur e të rinj, do të jenë pjesë e edicionit të dhjetë të këtij panairi në qytetin bregdetar. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh do të jenë librat që do të paraqiten para lexuesve vlonjatë e pushuesve të huaj. Në këtë edicion të 10-të libri nuk u ofrohet vetëm vlonjatëve, por edhe pushuesve të shumtë nga gjithë Shqipëria, dyndjes nga Kosova e Maqedonia, si asnjëherë tjetër, por edhe emigrantëve që kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre. Të ftuar të veçantë në ceremoninë e çeljes së këtij edicioni do të jenë edhe ish Presidenti Alfred Moisiu, si dhe shkrimtarja Futura Açka, një zë i veçantë në letrat shqipe në dy dekadat e fundit. Gjithashtu do të marrin pjesë edhe ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, të cilët vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e rajonit tonë dhe që janë përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare në këto 15 vjetët e fundit. Mbi 50 botues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të panairit ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Vlora është i vetmi qytet që organizon dy panaire libri gjatë një viti. Një në pranverë, gjatë sezonit shkollor, dhe tjetri gjatë stinës së verës. Për këtë, Vlora ka fituar statusin e qytetit ku libri shqip shitet dhe lexohet më shumë, pas Tiranës.