E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ora e mbetur tek 90-a!

berisha_debulese1Nga Xhemal D. Duka

Myk elektoral

Koha nuk ngrin, ndaj abuzimi elektoral i politikës së ditës me etiketimet e tipit ish-komunist, i fundit i komunistëve, bijtë e komunistëve etj, veçanërisht nga ana e lidershipit të mazhorancës, përveçse démodé dhe spekulativ, i bën karshillëk 20 viteve pluralizëm, përhapjeje marramendëse të pronës e sipërmarrjes private dhe integrimi pa kthim perëndimor. E nëse ka reminishenca nga e shkuara, ai është pikërisht përgojimi biografik.

Të artikuluara me zell nga të privilegjuarit e monizmit, ato dëshmojnë një kompleks atavik tek syresh që u djeg ende miza nën kësulë duke provokuar habi, ndjesira kontradiktore, deri bumerang politik. Nga brezi i ri që është alien ndaj të kaluarës në obsesion e tij Go West, të persekutuarit që përjetojnë dy dekada demagogji, ata që shohin përpara apo që në mozaikun e monizmit përfaqësojnë sakrificat dhe punën e ndershme (që ndjehen të shpërfillura teksa një jete kontribut iu vu kryq dhe damkosen e futen të gjithë në një thes) dhe deri tek autogoli ndaj kohezionit të aleancave elektorale prej pranisë së individëve dhe etiketave partiake që variojnë deri në ekstremin e majtë.

Etiketime të tilla propagandistike të shndërruara në zhargon urban, dëshmojnë dekomunistizimin fals dhe abuziv të politikës së tranzicionit që cinizmin e djeshëm të parullës të parët në sakrifica, të fundit në pretendime e ricikloi me atë të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës, ndërkohë që me akuza shashka fabrikon alibi për të kamufluar privilegje që zunë fill në monizëm. Me çmim, degradimin e sistemit nga i njëjti takëm abuzuesish të djeshëm, që sot ia kanë vënë syrin demokracisë.

Komunist apo anëtar partie!

Dikur, për syresh që mbante teserë partie për privilegje, karrierë abuzive apo ligësi ndaj të tretëve, thuhej se nuk ishte komunist por anëtar partie. Duke dalluar kështu mes mostrave të kohës që jo rastësisht ishin të parët që i hipën trenit të demokracisë (bile ishin fatorino) dhe masës së komunistëve korrektë e idealistë, që ishin kryesisht nga radhët e klasës punëtore dhe që besonin iluzionin e një sistemi të drejtë dhe me vepra, deri jetën e tyre, sakrifikuan për të.

Përpara se të ishin komunistë, ata ishin qytetarë korrektë që përtej lëvozhgës ideologjike, me parti nënkuptonin atdhe dhe popull. Për ta komunizmi ishte feja që mbushi boshllëkun e besimit të ndaluar, ndonëse manipuluar pa skrupull prej idhujve të rremë dhe veglave të tyre, me synim indoktrinim deri në fanatizëm e intolerancë. Futja absurde e tyre në një thes me takëmin e bllokut dhe jagot e zellshëm e kameleonët rrotull, është ogur i zi për vetë demokracinë sa kohë që ata që anatemojnë më fort janë abuzuesit e djeshëm që, pasi i dhanë emrin e keq monizmit, pozojnë sot si demokratë ekstrem.

Ky spekulim terminologjik, tregon mungesë respekti ndaj vetë disidencës antikomuniste si përmes riciklimit të reminishencave provokuese të luftës së klasave apo biografive ashtu dhe shmangies nga përgjegjësia historike e shlyerjes së borxhit ndaj saj. E ndërsa disidentët përballonin kalvarin e tyre dhe lufta e klasave fabrikonte viktima të pafajshme, me dhjetëra-mijëra komunistë, me letra apo me shpirt, edhe pa e provuar burgun, internimin, pasojat e arratisjes, shpalljen kulak etj nuk ishin në anën e të privilegjuarve të atij sistemi. Përkundrazi, si arixhiu me trastë në krahë, ata thirreshin në rreshtin e parë, kudo ku lypej vetëmohimi dhe ishin frontet më të vështira, në luftë dhe ndërtim, duke ngjizur me shembullin personal kohezion brezash, veri-jug, respekt ndaj femrës etj. Kontribut ky që sot u mohohet ndërkohë që anatemohen si personifikim i së keqes dhe delja e zezë e demokracisë, për ironi nga syresh që ishin pjesë e piramidës së monizmit dikur.

Drama e komunistit idealist ishte drama e individit që kasta e konsideronte mish për top duke e vënë në pozitë për të dhënë gjithçka nga tornitori që realizonte dy norma, traktoristi që lëronte me e pa orar, i riu që shtrinte trasenë, drejtori i fabrikës që u rrinte pranë halleve të punëtorëve, pensionisti që ndërmjetësonte për harmoni në shkallë, sigurimsi që ekspozonte deri me jetën e tij agjenturat e fqinjëve shovinistë etj. Njëlloj si besimtari i devotshëm përgjatë historisë së kryqëzatave, inkuzicionit, sulmeve kamikaze, abuzimit me individët e brishtë etj, komunisti idealist përjeton sot purgatorin e tij por, sa kohë amshimin hyjnor e ndjekësit e tij nuk i lidh asgjë me abuzimin, abuzuesit e monizmit nuk mund të barazohen me idealistët që i rezistuan ortodoksisë së kohës. E ndërsa kryqi i mëkatit të shpërdorimit të vetvetes apo fatalitetit të heshtjes në monizëm mbetet i rëndë, po aq i rëndë është dhe ai i sotmi demokratik kur vetë shteti, që duhet të jetë garant, nëpërkëmb jetën e dinjitetin njerëzor apo kombëtar me ngjarje si Gërdeci, piramidat, 21 janari, pakti i ujërave detarë etj.

Neo-blloku demokratik

Formalisht monizmi iku por abuzimi u riciklua dhe lufta e klasave u zëvendësua me kodin e heshtjes së klientelizmit e persekutimit demokratik, Blloku u klonua në green zone të shumta urbane, Byroja Politike në dhjetëra të tilla partiake, shteti edhe kur nuk merr jetë provokon vetëflijimin me murin e pashpresës që ngre, fjala e lirë u sfumua me censurën mediatike, internim-dëbimi evoluoi në vetësikterisje për ekzistencë, ndërsa e kaluara anatemohet, rihapen plagët e vjetra të saj të gjakmarrjes, analfabetizmit etj e ku me alibinë e antikomunizmit u shpërbë dhe e cenua koncepti i shtetit, trashëgimia dhe siguria kombëtare duke i lëshuar terren antishqiptarizmit në rajon etj.

Bashkë me riciklimin e bllokut dhe të anëtarit të partisë dhe përtej retorikës spekulative, sot është neo-bllokmeni’ dhe jo tjetërkush, ai që tipizon mentalitetin dhe praktikën e politikës së tranzicionit që sikundër në monizëm, krijon idhuj të rremë dhe abuzon pa fre me pushtetin duke kontrolluar shtetin. Me mazhorancën si etalon të uzurpimit të demokracisë e shtetit ligjor nga neo-blloku blu, sfida e 23 qershorit, përtej asaj që duam të lëmë pas, mbetet shikimi përpara për të mos lejuar më riciklimin e tij, që pavarësisht ngjyrës, merr peng të ardhmen njësoj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›