E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 episodet e turpshme të Botërorëve ndër vite

Në vend të parë qëndron goli me dorë i Maradonës në çerekfinalen e Kupës së Botës “Meksikë 1986” Argjentinë-Angli. Po ashtu, edhe goditja me kokë e Zinedin Zidanit ndaj Materacit në finalen e kampionatit Botëror të vitit 2006 midis Italisë dhe Francës.

Editorialisti i të përditshmes britanike “Times”, Bill Edgar, bën një listë me dhjetë episodet më të pakëndshme nga historiku i botërorëve.

1. Goli me dorë i Diego Armando Maradonës në çerekfinalen e Kampionatit Botëror 1986 midis Argjentinës dhe Anglisë (2-0 në favor të argjentinasve). Vetë Maradona e quajti këtë moment “Dora e Zotit”.

2. Goditja e qëllimshme me parakrah që portieri i Gjermanisë Perëndimore, Harald Shumaker, i dha Patrik Batiston të Francës në gjysmëfinalen e Botërorit 1982, duke i thyer dhëmbët dhe duke e lënë pa ndjenja. Për francezët nuk u dha as faull.

3. Goditja me kokë e Zinedin Zidan dhënë Materacit në finalen e Kupës së Botës në Gjermani në vitin 2006. Mënyrë më e keqe për ta mbyllur karrierën, nuk mund të gjendet...

4. Prekja e topit me dorë nga ana e sulmuesit të Skocisë, Xho Xhordan në kualifikueset e Botërorit 1978 Skoci – Uells. Ai preku topin me dorë në zonën kundërshtare, por për çudinë e të gjithëve, gjyqtari akordoi një penallti në favor të Skocisë.

5. Goditja alla kung-fu e italianit Mario David gjatë ndeshjes së vlefshme për Botërorin e vitit 1962 midis Kilit dhe Italisë. Kjo ndeshje njhet edhe si “Beteja e Santiagos”, ku si kilianët, ashtu edhe italianët, ia lejojnë vetes të goditen me njëri-tjetrin në sytë e gjyqtarit anglez, Ken Aston. Por episodi më kulminant ka si protagonist kilianin Leonel Sançez dhe Mario David. Pas një dyluftimi, i pari godet me grusht të dytin, i cili, si reagim, e godet me këmbë në kokë. Italiani nxirret jashtë. Pak minuta më pas, Sançez i thyen hundën Maskios.

6. Autogoli fatal i Andres Eskobar në Kupën e Botës 1994 në SHBA (ndeshja Kolumbi – SHBA). Mbrojtësi kolumbian fut në portën e vet topin pas një tranverse të amerikanëve, duke shkaktuar eliminimin e Kolumbisë. Një gabim që e pagoi me jetë në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse me rifillimin e ndeshjes, u vra nga dikush që kishte humbur para për shkak të atij autogoli.

7. Fitorja e trukuar e Gjermanisë Perëndimore ndaj Austrisë në Boërorin e vitit 1982. Gjithçka u bë në dëm të Algjerisë, pasi gjermanët dhe austriakët mbajtën një rezultat të sikletshëm 1-0 në favor të gjermanëve (goli i shënuar nga Hrubesh), rezultat që i kualifikonte të dy ekipet.

8. Skandali i kokainës së Maradonës pas ndeshjes Argjentinë – Greqi në Kupën e Botës 1994. Argjentina e fitoi me lehtësi atë ndeshje. Pas një goli të shënuar në atë takim, Maradona shfreu gjithë gëzimin e tij para një telekamere. Por pak ditë më vonë u përjashtua nga botërori, për shkak se rezultoi se kishte përdorur pesë lloj substancash të ndaluara.

9. Goli i dhënë fillimisht dhe më pas i anulluar në takimin midis Francës dhe Kuvajtit në Kampionatin Botëror të vitit 1982. Goli që çoi rezultatin në 4-1 i Alen Zhires shkaktoi zemërimin e kundërshtarëve, aq sa sheiku Fahd Al-Sabah hyri në fushë, duke i bërë shenjë skuadrës që të braktisë ndeshjen. Rezultati: gjyqtari sovjetik, Miroslav Stupar vendos ta anullojë golin, që më parë e kishte quajtur të rregullt.

10. Reagimi i Antonio Ratin në çerekfinalen e Botërorit të vitit 1966 Angli-Argjentinë. Kapiteni i Kombëtares braziliane nuk pranon të dalë nga fusha pas përjashtimit me karton të kuq për shkak të protestave. U deshën plot tetë minuta për ta nxjerrë jashtë, madje u desh edhe ndërhyrja e policisë, ndërkohë që shokët e tij të skuadrës kërcënuan se do të dilnin edhe ata nga fusha e lojës bashkë me të.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›