E Hënë, 2 Nëntor 2026

“10 mijë euro shefit të krimeve”, Nuredin Dumani: E paguaja çdo muaj që të më informonte për Talo Çelën

Të tjera detaje tronditëse nga bota e krimit, por dhe për korrupsionin brenda radhëve të policisë janë rrëfyer sot nga Nuredin Dumani, në seancën gjyqësore në kuadër të dosjes ‘Plumbi i Artë’.

I penduari i drejtësisë ka treguar se një shef krimesh në Policinë e Elbasanit gjatë vitit 2019 paguhej 10 mijë euro në muaj nga ai për t’i dhënë informacione për Talo Çelën.

“Në 2019-ën një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishte shok, më jepte informacione për Talo çelen. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj”, rrëfeu Dumani në GJKKO.

Ndër të tjera Dumani tha se ditën që u arrestua ishte nisur në Elbasan për të vrarë Oti Kilën për llogari të Suel Çelës. Në këtë atentat Dumani mbeti vetë i plagosur.

“Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova isha shofer. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5 kur u plagosa. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Autorët që më qëlluan nuk i kam njohur, pasi ishin të maskuar. Vetëm nga trupi shoferi më është dukur si Talo Çela”, rrëfeu Dumani.

I pyetur më pas, Dumani tregoi për mënyrën sesi ishte përgatitur për atentatin duke thënë me detaje për vendin ku bleu armën. Ai kishte blerë një kallashnikov me silenciator në Fier, ndërkohë që ishte pajisur edhe me një mitraloz që ia kishte dhënë kushëriri i tij./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›