10 statistikat që e shpallën Skënderbeun kampion
Pas përfundimit të kampionatit dhe kurorëzimit të Skënderbeut, kanë filluar përpunimet e shifrave. Portali albaniasport.net nxjerr 10 fakte nga për skuadrën korçare të këtij edicionit që përfundoi me titullin kampion, i dyti në historinë e klubit juglindor. Dy trajnerë, Muça dhe Duro, projektuan dhe realizuan titullin
1) Skënderbeu u shpall kampion i Kategorise Superiore për edicionin 2010-2011, ose Kamionati i 72-të Kombëtar i Futbollit. Kjo ishte hera e dytë në historinë tij. Më parë e kishte fituar atë në vitin 1933, kampionati i 4-t, një skuadër e drejtuar nga Qemal Omari. Gjithsesi, Skënderbeu dështoi në Kupën e Shqipërisë, duke u eliminuar në çerekfinale nga Besa e Kavajës.
2) Skuadra korçare grumbulloi 73 pikë nga 33 ndeshjet e luajtura, ose 73.7% të pikëve. Skënderbeu regjistroi 23 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje. Fitorja më e thellë është ajo 5-1 kundër Kastriotit (java e 8-te), ndërkohë që humbja më e thellë është ajo me Flamurtarin, 4-0 në Vlorë (java e 10-të).
3) Korçarët do të marrin pjesë për herë të parë në Champions League, një debutim historik në kompeticionin më prestigjioz të klubeve në Europë. Skënderbeu do ta nisë nga turi i dyte eliminator.
4) Trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, kompletoi një “hat-trick” trofesh, pasi tani ka në palmarasin e tij kampionatin (me Skënderbeun), Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë (me Besën, sezonin e kaluar). Duro pësoi vetëm një humbje në 13 ndeshjet e drejtuara prej tij, atë me Flamurtarin, 1-0 në javën e 33-të.
5) “Ujqërit e dëborës” u treguan të pathyeshëm në shtëpi, duke regjistruar 17 fitore në po aq ndeshje (dy prej të cilave në fakt u zhvilluan në Pogradec, ato me Teutën dhe Vllazninë në fazën e parë, për shkak të rikonstruksionit të stadiumit).
6) Në transfertë, Skënderbeu pësoi në total 6 humbje, më pak se çdo ekip tjetër, ndërkohë që vlen të theksohet, se nënkampioni Flamurtari e mundi dy herë: 4-0 dhe 1-0.
7) Vija e parë e Skënderbeut shënoi në total 52 gola (përfshirë dhe fitoren 2-0 në tavolinë me Besën, java e parë), nga këto 37 u shënuan në Korçë dhe 15 në transfertë. Korçarët pësuan 23 gola në total, 6 në shtëpi dhe 17 në ndeshjet jashtë, ku dhe golaverazhi ishte negativ, - 2 gola.
8) Golashënuesi më i mirë i Skënderbeut këtë sezon ishte argjentinasi Rafael Soza me 13 gola, ndërkohë që i dyti me më shumë gola doli sulmuesi serb, Mlladen Brkiç, 8 gola, por që në pjesën e dytë të sezonit kaloi te Dinamo si hallkë e formulës së huazimit të Gjergji Muzakës në Korçë.
9) Skënderbeu, 73 pikë, e fitoi kampionatin me 7 pikë diferencë nga Flamurtari, 66 pikë, dhe me një diferencë prej 61 pikësh nga Elbasani i vendi te fundit, 12. Skënderbeu i mori 9 pikë të plota Dinamos (3-2, 1-3, 2-3), që luante në këtë sezon si kampione në fuqi, si dhe Laçit të vendit të katert (0-1, 2-1, 1-0).
10) Skënderbeu u drejtua gjatë këtij sezoni nga dy trajnerë. Shkëlqim Muça e drejtoi skuadrën korçare në 20 ndeshje, ndërkohë që Shpëtim Duro e drejtoi në 13 ndeshje. Muça grumbulloi 39 pikë: 12 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje. Duro në 13 ndeshjet e tij regjistroi 11 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje: 34 pikë.