Korçarët në kor: Dhuna ishte e organizuar
Ajo që përjetuan lojtarët e Skënderbeut në fundndeshjen me Flamurtarit, takim i vlefshëm për javën e 33-të dhe të fundit të Kategorisë Superiore, ishte një makth që ka përfunduar vetëm kur korçarët kanë parë se kaluan urën e Mifolit. Lumë sendesh që fluturonin mbi kokat e tyre dhe një turmë tejet e nevozuar kanë bërë që lojtarët e Skënderbeut të shoqërohen një e nga një për në dhomat e zhveshjes, duke u mbrojtur nga forcat speciale dhe më pas, të shoqëruar nga furgonat e policisë, arritën t’i largohen Vlorës pas 90 minutash rrethim që i bëri tifozëria kuqezi stadiumit “Flamurtari”. Por gjithçka që përjetoi skuadra e Skënderbëeut ishte e inskenuar. Të paktën kështu mendon kapiteni korçar, Blendi Shkëmbi, që ka fituar titullin e tij të parë në karrierë pikërisht me skuadrën e vendlindjes. “Ajo që mund të them unë është fare e qartë, - tregon Shkëmbi në emisionin “Skaner” -, turma ishte e nervozuar, por nervozizmi i saj e kishte një dirigjent, drejtuesit e Flamurtarit. Janë ata që sollën atë situatë, pasi gjatë javës në media nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë shtuar dozat e nevozizmit. Unë nuk i vë faj aspak turmës së tifozëve, por drejtuesve të Flamurtarit.” Të njëjtën linjë ndjek edhe mbrojtësi Stavrion Lako. “Ishte e organizuar dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Shokun tonë e çanë në kokë (Butrint Vishaj). Nuk e di se çfarë masash do të merren,” deklaron Lako. Ndërsa Shkëmbi lë pas dhunën dhe i rikthehet titullit kampion. “E merituam ne. Flamurtari ishte skuadra më e mirë për dy fazat e para, ndërsa në të tretën ishim ne ekipi më i mirë. Nuk jam aspak dakort me ata që thonë se fituesi moral është Flamurtari,” këmbëngul Shkëmbi në të tijën dhe më pas shton. “Është një titull për të gjithë qytetin e Korçës. Të enjten do të organizojmë një festë të madhe për ta festuar ashtu siç duhet këtë titull që i ka munguar aq shumë qytetit tonë. Ne do të hyjmë triumfalisht në Korçë dhe do të gëzojmë. E kemi merituar këtë titull dhe këtë e them me plot gojën. Gjatë tërë sezonit kemi dëgjuar fjalë nga më të ndryshmet, por e rëndësishme është që ne jemi në majë të superligës dhe mezi presim që të festojmë,” përfundon kapiteni i korçarëve