E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Mesi? Po ata duan të gjithë nga dy lojtarë për markim

Miqësorja me Argjentinën është padyshim çështja e ditës, ndonëse në të vërtetë është më pak e rëndësishme sesa sfida me Bosnjën. Sidoqoftë, ai ka vendosur që ta pranojë sfidën, që për tifozët kuqezi do të shndërrohet në miqësoren më të rëndësishme të luajtur ndonjëherë. Por si e ka përjetuar këtë lajm Kuzhe? Ai tregon me sinqeritet se sfida kundër Mesit and CO nuk është një nga ato që një trajner i një skuadre si Shqipëria do të dëshironte të luante. “ Jam vërtet i lumtur që do të luajmë kundër një skuadre të madhe. Por edhe i frikësuar. Për një trajner nuk është gjë e zgjuar që të luaj kundër një skuadre si Argjentina. Por mua më pëlqejnë sfidat e forta dhe nuk më intereson shumë se çfarë do të thotë për mua pas kësaj ndeshjeje,” tregon Kuzhe, që më pas shton se ai dhe skuadra kuqezi nuk do të shkojnë në vendin e tangos vetëm për një shëtitje. “Njerëzit në federatë e dinë mendësinë time. Dua të luaj gjithnjë dhe të zhvilloj sa më shumë miqësore. Por Argjentina është diçka e veçantë për futbollin shqiptar dhe tifozët. Natyrisht që do të jetë e vështirë për lojtarët, sepse të gjithë do të jenë në fazë përgatitore, por lojtarët do të duan të jenë në një ndeshje të tillë. Unë jam shumë i lumtur dhe besoj se edhe lojtarët janë të lumtur. Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe nuk do të shkojmë vetëm për të luajtur, por duam të bëjmë një performancë të mirë në atë ndeshje që të lëmë një kujtim të mirë te tifozët dhe jo të themi që dikur kemi luajtur me Argjentinën.” Në fund, trajneri kroat i kuqezinjve e kthen në një batutë pyetjen për markimin e Lionel Mesit. “Mesi? Ata kanë shumë lojtarë të mirë dhe është e vështirë kundër një skuadre të tillë. Zakonisht një lojtari të mirë i vendosen dy veta në markim, por ata kanë aq shumë lojtarë të mirë sa me këtë llogari do të na duhen 22 vetë në fushë (qesh).”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›