10 vatra zjarri në vend, 5 ende aktive, raporti tregon për situatën në Dajt dhe zonën e Dibrës

Sipas informacionit operacional të përditësuar nga Ministria e Mbrojtjes, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 10 vatra zjarri, prej të cilave 5 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar plotësisht.
Situata paraqitet më e angazhuar në qarkun Dibër.
Në Lunde, për shkak të erës dhe sipërfaqes së konsiderueshme pyjore, janë angazhuar 20 forca ushtarake dhe një helikopter i Forcës Ajrore; aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Ballenjë zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore brenda zonës së mbrojtur.
Ndërkohë, në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit me angazhimin e 15 forcave zjarrfikëse dhe 20 efektivëve të Forcave të Armatosura, pa rrezik për zonat e banuara.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në Korçë vatra në Qafën e Lugut është nën kontroll.
Në Elbasan, zjarri në malin e Dardhës është shuar plotësisht, ndërsa në malin e Qukësit vijon mbikëqyrja.
Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar gjithsej 70 forca ushtarake dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Situata vijon të monitorohet, ndërsa sipas raportimit nuk evidentohen zona të banuara në rrezik.
/rtsh.al/