10 vite Instrumenti Horizontal, vlerësohen reforma në drejtësi, antikorrupsioni dhe të drejtat e njeriut

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Një dekadë bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në mbështetje të reformave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi u vlerësua sot në Tiranë, në konferencën rajonale përmbyllëse të programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal”.
Konferenca mblodhi zyrtarë të nivelit të lartë, institucione përfituese, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë nga Shqipëria dhe rajoni, me fokus rezultatet e arritura në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe diskriminimit, si dhe lirinë e medias.
Në fjalën e hapjes, drejtori i Drejtorisë së Koordinimit të Programeve në Këshillin e Evropës, Claus Neukirch, tha se përfundimi i kësaj faze nuk shënon fundin e bashkëpunimit, por mbylljen e një kapitulli dhe nisjen e një etape të re.
“Dhjetë vite partneritet, tri faza të Instrumentit Horizontal, dhjetëra institucione të forcuara dhe ligje të përmirësuara, qindra profesionistë të trajnuar dhe mijëra qytetarë, të drejtat e të cilëve janë më mirë të mbrojtura sot se në vitin 2016”, u shpreh Neukirch.
Ai theksoi se programi ka mbështetur forcimin e sistemeve të drejtësisë, duke synuar gjykata më të pavarura, më efikase dhe më të besueshme për qytetarët, si dhe ka kontribuar në lirinë e shprehjes dhe medias, luftën kundër krimit ekonomik, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas Neukirch, një nga veçoritë e qasjes së Këshillit të Evropës është “trekëndëshi strategjik”, që përfshin vendosjen e standardeve, monitorimin dhe bashkëpunimin teknik për përkthimin e këtyre standardeve në reforma konkrete.
Duke folur për fazën e ardhshme, ai nënvizoi se sfidat e reja, përfshirë zhvillimin e inteligjencës artificiale, dezinformimin, ndryshimet klimatike dhe presionin mbi rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, kërkojnë forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.
“Përgjigjja ndaj këtyre sfidave, sipas këndvështrimit tonë, është forcimi i demokracisë, forcimi i shtetit të së drejtës dhe forcimi i të drejtave të njeriut”, deklaroi Neukirch.
Zëvendësdrejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian, Christophe Galand, e cilësoi Këshillin e Evropës një partner strategjik të BE-së në fushën e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.
Ai theksoi se standardet e Këshillit të Evropës dhe gjetjet e mekanizmave të tij të monitorimit përdoren nga Komisioni Evropian në vlerësimin e vendeve kandidate dhe në procesin e zgjerimit.
“Progresi në fushat themelore mbetet përcaktues për ritmin e përgjithshëm të anëtarësimit dhe negociatave”, tha Galand, duke shtuar se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i drejtë dhe i bazuar në merita.
Sipas tij, Instrumenti Horizontal ka shërbyer për përkthimin e standardeve evropiane në reforma konkrete, duke kombinuar ekspertizën dhe mekanizmat e monitorimit të Këshillit të Evropës me dialogun politik dhe prioritetet e zgjerimit të BE-së.
Galand njoftoi se faza e re e programit, për periudhën 2027-2029, do të fokusohet në drejtësi, krimin ekonomik dhe korrupsionin, si dhe antidiskriminimin.
Ajo do të ketë një qasje më të orientuar nga nevojat e vendeve, me plane kombëtare veprimi dhe korniza rezultatesh të lidhura më ngushtë me prioritetet specifike të reformave dhe të procesit të zgjerimit.
Në fjalën e saj, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, tha se për Shqipërinë integrimi evropian është një projekt strategjik kombëtar dhe se kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, janë në qendër të procesit negociues.
Ajo vlerësoi se Instrumenti Horizontal ka shërbyer si një katalizator për reformat strukturore dhe një urë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Fino veçoi mbështetjen në reformën në drejtësi, forcimin e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e minoriteteve dhe luftën kundër diskriminimit.
Ajo përmendi gjithashtu mbështetjen për të drejtat e pronës dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nismat për forcimin e sigurisë së gazetarëve dhe përmirësimin e mjedisit mediatik.
“Dhjetë vite më parë nisëm së bashku një udhëtim për të transformuar institucionet tona dhe për të avancuar të ardhmen evropiane. Sot festojmë një dekadë progresi real dhe të matshëm. Nesër ecim përpara me besim të ripërtërirë, të vendosur për të përfunduar rrugën drejt integrimit të plotë në familjen evropiane të demokracive”, deklaroi Fino.
Konferenca shërbeu gjithashtu si një moment për të vlerësuar mësimet e dekadës së parë të programit dhe për të diskutuar prioritetet e bashkëpunimit në fazën e ardhshme.
Konferenca rajonale përmbyllëse e programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal” Foto: Florja... 1 nga 8/gj.m/a.f/r.e/