E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA: Mbi 200 profesionistë të certifikuar gjatë 2026-ës për hetimin e krimeve

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Më shumë se 200 profesionistë të zbatimit të ligjit në Shqipëri janë certifikuar gjatë vitit 2026 pas përfundimit të trajnimeve për hetimin e krimeve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përshëndeti specialistët e krimit nga Policia e Shtetit që përfunduan Kursin për Hetimin e Krimeve, Niveli 1, në Akademinë e Sigurisë.

Sipas ambasadës amerikane, kursi është hartuar nga Programi Ndërkombëtar i Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP) i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së.

“Çdo hetim i mirëfilltë nis nga bazat: të bësh pyetjet e duhura, të shqyrtosh provat dhe të ndjekësh faktet. Urime specialistëve të krimit nga Policia e Shtetit që përfunduan Kursin për Hetimin e Krimeve (Niveli 1) në Akademinë e Sigurisë.

“I hartuar nga Programi Ndërkombëtar i Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP) i Departamentit të Drejtësisë të SHBA, ky kurs forcon aftësitë hetimore dhe ndihmon në zbatimin e standardeve të njëjta dhe në rritjen e llogaridhënies në punën e policisë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Ambasada thekson se trajnimet dhe certifikimet kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit kundër krimit transnacional dhe korrupsionit, si dhe në mbrojtjen e komuniteteve në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara.

“Gjatë vitit 2026 janë certifikuar më shumë se 200 profesionistë të zbatimit të ligjit. Puna e tyre forcon luftën tonë të përbashkët kundër krimit transnacional dhe korrupsionit dhe ndihmon në mbrojtjen e komuniteteve në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Ambasada e SHBA.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›