10 vrasje të bujshme drejt zbardhjes

FIER – 17 dosje vrasjesh të bujshme të ndodhura vitet e fundit janë hapur për t’u rihetuar nga Departamenti i Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit dhe të paktën 10 prej tyre janë drejt mbylljes së hetimeve. Po aq sa kanë qenë të bujshme vrasjet e kryera në vitet e shkuara, po aq premtojnë edhe burimet nga grupi hetimor, se janë dhe emrat e personave që pritet t’iu dokumentohet autorësia e këtyre ekzekutimeve dhe për të cilat po punohet intensivisht në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Fierit dhe të Lushnjës. Ndër emrat më të lakuar që burimet bëjnë me dije se kanë nën hetim, janë edhe ato të atyre që janë quajtur apo cilësuar si “padrino” të krimit në qarkun e Fierit. Megjithëse të rezervuar në dhënien e detajeve për shkaqe hetimore, emrat e ish-kapobandës së Divjakës, Luan Fusha, ai i Fatmir Eminit, i njohur si Mile Çami, dhe vrasje të cilat i adresohen Bandës së Lushnjës, por pa emra konkretë të anëtarëve të saj, janë aktualisht nën hetim, pasi prej disa vitesh kishin “zënë pluhur” për mungesë provash.
Rihapja e dosjeve
Nga ana e Departamentit të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, i cili drejtohet nga numri dy i kësaj drejtorie, Artan Cuku, mësohet se që nga fillimi i vitit u kërkua rihapja e hetimeve për 34 dosje hetimore të pezulluara, nga të cilat 22 ishin për veprën penale të vrasjes, 3 dosje ishin për vrasje të mbetur në tentativë dhe plagosje, 8 dosje ishin për vjedhje, ndërsa 1 për veprën e marrëdhënieve seksuale me dhunë. Gjashtë muaj pas rihapjes së këtyre dosje për t’u hetuar, 15 prej tyre tashmë janë zbardhur. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, nga ngjarjet e zbardhura, 5 prej tyre kanë qenë vrasje të ndodhura në vitet e mëparshme dhe për këto krime kanë dalë tashmë masat e sigurisë për 6 persona, autorë të tyre, nga të cilët 4 janë arrestuar dhe 2 janë në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që janë zbardhur plotësisht dhe 8 vjedhjet, duke çuar pas hekurash 12 persona, si dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë. Për 10 prej dosjeve të vrasjeve të vjetra që janë rihapur dhe po hetohen nga Departamenti i Hetimit të Krimeve në bashkëpunim me Prokuroritë e Fierit dhe Lushnjës, mësohet se janë mbledhur mjaft prova dhe se shumë shpejt pritet që ato të dërgohen në gjykatë, ku do të vlerësohen dhe do të jepet edhe masa e sigurisë për personat e identifikuar si autorë të tyre.
Krimet tronditëse
Deri pak muaj më parë, rrethi i Fierit ka qenë padyshim një ndër perandoritë e vockla të krimit që mbante brenda saj jo vetëm krime të rënda të pazbardhura, por edhe ato që pak kush guxonte t’i cilësonte si familjet e krimit. Aktualisht, tre nga këto grupe-familje, të cilët kanë pasur secili në strukturat e tyre lidhje të shumta familjare e miqësore, janë goditur nga policia lokale, duke çuar pas hekurash në disa raste edhe ata që janë cilësuar si krerët e këtyre familjeve. Emrat e Agim Boriçit, Fatmir Eminit dhe Luan Fushës janë të lidhur për policinë e Fierit, të paktën dhe me disa dyshime të tjera që ata kanë për këta persona, për kryerjen e disa vrasjeve të tjera. Burime konfidenciale i thanë “Korrierit”, se grupi hetimor të paktën në rastin e Luan Fushës, i arrestuar disa muaj më parë në Milano të Italisë dhe që pritet të ekstradohet, po heton dhe për pesë5 vrasje të tjera të kryera si brenda Shqipërisë, ashtu dhe jashtë vendit. Ndërsa për Mile Çamin po hetohet përfshirja e tij në ekzekutimin e biznesmenit Gjergji Halo, vrasje e kryer disa vite më parë në qendrën e Fierit. ar.ba
Disa prej dosjeve të hetuara dhe nën hetim
Vrasja e Astrit Rustemit në vitin 1998, e dokumentuar
Vrasje e Xhevrie Cakës në vitin 1999, e dokumentuar
Vrasja e Bashkim Hamitaj në vitin 1993, e dokumentuar
Vrasja e Erion Canit në vitin 2004, në Lushnjë
Vrasje e trefishtë e Edmond e Dhimitri Bazhurit dhe Armand Kokoneshit në vitin 1998
Vrasja e Robert Merajt në vitin 1999
Vrasja e nënës së Lul Cakës
Gati 9 vjet pas rrëmbimit, dhunimit dhe ekzekutimit të nënës së Lulëzim Cakës, i cilësuar si kabobandë i Beratit, policia e Fierit arriti që të bëjë dokumentimin e krimit që kishte ngelur i pazbardhur me vite. Plani i operacionit i koduar “Rrëmbimi” bëri të mundur zbulimin dhe dokumentimin ligjor të dosjes hetimore të pezulluar nr. 294, të vitit 1999, për vrasjen e shtetases Xhevrie Caka. Autorë të saj u identifikuan Fatmir Emini, i njohur si Mile Çami, si dhe dy vëllezërit, Bledar dhe Artan Yzeiri.
I dyshuar edhe për 5 vrasje të tjera
Më datë 28 maj të këtij viti, në kuadër të planit të operacionit “Karavastaja”, u bë i mundur arrestimi në Milano të Italisë i të shumëkërkuarit Luan Fusha, 45 vjeç, lindur ne Divjakë, në Lushnjë dhe rezident në Itali, i cili është cilësuar si kapobanda e Divjakës. Ndaj Luan Fushës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë kishte dhënë masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi ai në datën 14 gusht 1998 në Divjakë të Lushnjës ka vrarë me armë zjarri automatik tre persona. Jetët e vëllezërve Edmond dhe Dhimitër Bashuri, si dhe e Armand Kokoneshit u prenë në mes për motive të dobëta, sipas variantit zyrtar të policisë. Fusha sipas burimeve policore, mësohet se është i dyshuar edhe për pesë vrasje të tjera, për të cilat po punohet që të zbardhen.