100 ditët e para të qeverisjes, Trump: Me mua nisim epokën e artë

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur një tubim në Michigan me shënimin e 100 ditëve të para të qeverisjes, duke i cilësuar si periudhën më të suksesshme të çdo administrate.
“Jemi këtu për të festuar 100 ditët e para më të suksesshme të çdo administrate. Dhe ky është vetëm fillimi, nuk keni parë asgjë ende. Në 100 ditët e para kemi sjellë ndryshime të thella në Uashington, më të thellat në gati 100 vjet. Me mua ne nisim epokën e artë”, tha Trump në fjalimin e tij, teksa rendiste një listë premtimesh që kishte mbajtur.
Shënimi i 100 ditëve të para të qeverisjes, Trump e nisi me firmosjen e një urdhri ekzekutiv që lehtësonte presionin tarifor mbi sektorin e automobilave. Shtëpia e Bardhë e justifikoi vendimin me nevojën për të lehtësuar prodhuesit dhe për t’u dhënë atyre më shumë kohë për të rikthyer fabrikat në SHBA
“Ne thjesht duam të ndihmojmë gjatë kësaj periudhe tranzicioni. Është afatshkurtër”, tha ai, duke shtuar se kompanitë që nuk do t’i zhvendosnin fabrikat dhe vendet e tyre të punës përsëri në SHBA “do të masakrohen”.
Gjatë fjalimit Trump foli edhe për vizitën e tij të fundit në Romë, ku tha me shaka se “Do të doja të isha Papë. Do të ishte zgjedhja ime e parë”.
/rtsh.al/