E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 intelektualë kërkojnë ngritjen e Muzeut të Ikonografisë

Në katin e dytë të një ndërtese në rrugën “Don Bosko” qëndrojnë bashkë në një shtëpi me qira mjeshtrit e mëdhenj të ikonografisë shqiptare si Onufri, Kostandin Shpataraku, David Selenicasi, vëllezërit Zografi, Çetirët, e shumë autorë anonimë.

Ata janë vendosur njëri mbi tjetrin në një dhomë të vogël jo më shumë se 5×6 metra katrorë. Prej disa viteve 150 ikona të koleksionistit Gjergji Thimo qëndrojnë në këto kushte, në pritje të ngritjes së të parit muze privat të ikonografisë shqiptare. Një muze që në letra është krijuar qysh në vitin 1996, por që kurrë nuk u bë realitet.

Muzeologu dhe koleksionisti Gjergji Thimo është dashur të kalojë shumë vështirësi në jetë për të mbrojtur këto 150 ikona, vlerë e patjetërsueshme e trashëgimisë sonë. I shpëtoi një tentative për vjedhje në vitin 1997, por nuk arriti të shpëtonte nga flakët shtëpinë e tij në Korçë, ku mbante gjithë koleksionin e tij të krijuar mbi bazën e një trashëgimie familjare dhe pasuruar vit pas viti prej tij.

U detyrua të zhvendosej bashkë me koleksionin në Tiranë, ku prej vitesh jeton në shtëpi me qira bashkë me koleksionin e tij, që e ka shpërndarë në çdo cep të shtëpisë. “Nuk kam ku t’i mbaj. Është një koleksion me vlera të mëdha dhe që do kujdes. Që prej viti 1996 po luftoj për të ngritur të parin Muze të ikonografisë shqiptare, me qëllim ekspozimin por dhe ruajtjen e këtyre vlerave të ikonografisë shqiptare”, thotë Gjergji Thimo.

Ai ka ndërmarrë një iniciativë që mendon se do të mund të zgjojë ndërgjegjen e shtetit, duke kërkuar ndihmën e 100 intelektualëve shqiptarë: shkrimtarë, historianë, muzeologë, akademikë etj., që të mbështesin këtë iniciativë të tij. Thotë se ia ka dalë deri tani dhe ka siguruar rekomandimet dhe firmat e 100 intelektualëve, që do t’i bëjë pjesë të dosjes që shumë shpejt do të jetë në dorën e Kryeministrit të vendit.

“Mendoj se tani është momenti më i mirë për të ngritur një muze të tillë. Jemi në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe këto vepra janë pjesë e identitetit tonë kombëtar”, thotë koleksionisti. Ai tregon sesi tentuan t’ia vjedhin koleksionin në vitin 1997, që pasoi me djegien e shtëpisë dhe ndërhyrjen e qarqeve greke për t’ia ndryshuar emrin projektit të tij nga Muzeu i Ikonografisë Shqiptare në Muzeu i Ikonografisë së Vorio-Epirit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›