A do të fillojë sulmi kundër Iranit nga Kaukazi?

Në vitin 2009, zëvendësshefi i misionit të ambasadës amerikane në Baku, Donald Lu, i dërgoi një shkresë State Departmentit amerikan me titull, “Simbioza diskrete e Azerbajxhanit me Izraelin”. Shkresa, e cila më vonë u bë publike nga Wikileaks, citon presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Alijev, duke i cilësuar marrëdhëniet e vendit të tij me Izraelin si maja e një mali të akullt: “nëntë e dhjeta e tij është nën sipërfaqe”.
Pse ka rëndësi kjo? Ngase Azerbajxhani ka një shtrirje strategjike në kufijtë verior të Iranit dhe në bazë të disa zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane, zyrtarët e administratës së Barack Obamës tani besojnë bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërmjet këtyre dy vendeve po shton rrezikun e sulmit të Izraelit kundër Iranit.
Së fundi, katër diplomatë dhe zyrtarë të inteligjencës ushtarake të SHBA-së kanë theksuar se SHBA-ja ka ardhur në përfundim se Izraeli ka siguruar qasje në katër baza ajrore, në kufijtë verior të Iranit. Se për çka saktësisht i nevojiten këto baza, ende nuk është e qartë. “Izraelitët kanë blerë një aeroport dhe ky aeroport quhet Azerbajxhan”, pat deklaruar në shkurt një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Zyrtarët amerikanë të inteligjencës janë gjithnjë e më të brengosur se zgjerimi i ushtrisë izraelite në Azerbajxhan do të komplikojë përpjekjet e SHBA-së për të zbutur tendosjet mes Izraelit dhe Iranit.
Planifikuesit ushtarak tani duhet të planifikojnë jo vetëm për skenarin e luftës, i cili përfshin Gjirin e Persisë, por duhet të përfshijnë edhe Kaukazin. Marrëdhëniet në forcim e sipër të Azerbajxhanit me Izraelin po ndikojnë edhe në marrëdhëniet e këtyre dy vendeve me Turqinë, një shtet tjetër i fuqishëm në rajon, i cili i frikësohet pasojave të mundshme ekonomike dhe politike të luftës së mundshme në Iran.
Zyrtarët më të lartë të Turqisë i kanë përcjellë këtë brengë zyrtarëve amerikanë, e gjithashtu edhe atyre të Azerbajxhanit.
Sidoqoftë, gjatë vizitës së tij të paradokohshme në Teheran, ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit publikisht përjashtoi mundësinë e shfrytëzimit të territorit të Azerbajxhanit për sulme kundër Iranit. “Azerbajxhani, siç ka vepruar gjithmonë në të kaluarën, nuk do të lejojë që ndonjë shtet tjetër të shfrytëzojë territorin e tij kundër Iranit, shtet ky të cilin e konsiderojmë si miqësor dhe vëllazëror”, tha ai.
Por madje edhe nëse qeveria e tij e mban këtë premtim, ajo mund t’i ofrojë Izraelit asistencë të rëndësishme.
“Ne po përcjellim nga afër veprimet e Iranit. Por po përcjellim nga afër edhe atë që tani po e bën Izraeli në Azerbajxhan dhe mund të them se nuk jemi aspak të lumtur”, deklaroi një zyrtar i shërbimit të inteligjencës të ushtrisë amerikane.
Marrëdhëniet gjithnjë e më të thella të Izraelit me qeverinë në Baku u çimentuan në shkurt, me nënshkrimin e një marrëveshje ushtarake, e cila parasheh furnizimin e Azerbajxhanit me fluturake pa pilot dhe me sisteme të mbrojtjes kundër-ajrore.
Është e qartë se pse Izraeli po i kushton rëndësi marrëdhënieve me Azerbajxhanin dhe se pse kjo aleancë po e tërbon Iranin. Ushtria e Azerbajxhanit posedon katër aeroporte të braktisura nga periudha sovjetike, të cilat me gjasë do të jenë në dispozicion të Izraelit.
Zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli tashmë ka siguruar qasje në këto baza, porse ende nuk ekziston një marrëveshje e prerë dhe e nënshkruar për këtë.
Mundësia që Izraeli të shfrytëzojë bazat e Azerbajxhanit për sulme kundër Iranit për herë të parë u bë publike në dhjetor të vitit 2006, kur gjenerali izraelit në pension, Oded Tira, kritikoi administratën e Bushit se nuk po ndërmerr aksion kundër programit bërthamor të Iranit. “Nga ana jonë, ne duhet të koordinohemi me Azerbajxhanin, për të shfrytëzuar aeroportet në territorin e këtij shteti dhe të sigurojmë mbështetjen e pakicës azerbajxhanase në Iran”, pat deklaruar Tira atëbotë.
Edhe Azerbajxhani po përfiton qartazi nga thëllimi i lidhjeve me Izraelin, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në fushën e modernizimit të ushtrisë së Azerbajxhanit, vend ky i cili gjendet në një luftë të pashpallur me Armeninë, për shkak të territorit të kontestuar të Nagorni-Karabahut.
“Edhe Azerbajxhani ka brengat e veta. Azerbajxhani ka dëbuar klerikë iranian, të cilët kanë ligjëruar nëpër xhamitë e vendit, ka shkatërruar grupe terroriste pro-iraniane dhe ka reaguar ndaj aktiviteteve propaganduese të Iranit në Azerbajxhan”, thotë Aleksandër Murison, ekspert për marrëdhëniet mes Izraelit dhe Azerbajxhanit.