100 mijë veta në Elbasan njoftojnë afrimin e Orës së Fitores
Uragani i fitores së mandatit të tretë të Partisë Demokratike ka lënë mbrëmë gjurmën e tij me 100 mijë qytetarë në sheshin qendror të Elbasanit. Tuneli i Krrabës është vetëm një parathënie e planit të investimeve që planifikohen gjatë mandatit të tretë të Berishës
Berisha: Në Kurbanin e dytë, Rama do ta quajë Tunelin e Elbasanit, Tuneli i Lotëve ose Tuneli i Pikëllimit
E jashtëzakonshme atmosfera e mbrëmshme në sheshit “Gensher” të Elbasanit, ku Partia Demokratike zhvilloi mitingun përmbyllës të fushatës elektorale. Tuneli lidhës i Elbasanit me kryeqytetin e dha efektin e parë. Mijëra qytetarë të qarkut të Elbasanit e shndërruan mbylljen e fushatës, në një festë të vërtetë, ku dominoi entuziazmi i flaktë dhe vetëbesimi për një fitore të sigurt në 23 qershor. Në fjalën e tij para mbështetësve, kryeministri Sali Berisha deklaroi se tashmë ora e fitores po afron dhe se ajo ndjehet zemrat e çdo qytetari shqiptar. “Ora e fitores po afron, fitorja është në dorën tuaj. Në këto ditë që na ndajnë, natë e ditë për çdo zemër, për çdo votë, pavarësisht nga bindjet partiake për të votuar 44-ën, për të votuar fitoren. 44-a është fati, është shpresa, fitorja, është e ardhmja!”- u shpreh kryeministri. Mandati i ardhshëm, tha Berisha do shndërrohet në mirëqenie. Ai premtoi rritjen e pagës minimale në 350 dollarë, pagën mesatare në 700 dollarë, rritjen e pagave për arsimtarët në 700 dollarë si dhe dyfishimin e ndihmës ekonomike për të papunët. “Jam këtu për tu zotuar para jush se këtë fitore do ta shndërrojmë në mirëqenie për çdo qytetar shqiptar të çdo bindje politike, të çdo përkatësie. Po! Djersën tonë në mirëqenie do ta kthejmë. Ndaj dhe ne premtojmë këtu se sëbashku 4 vitet që vijnë rroga minimale do të jetë mbi 350 dollarë, rroga mesatare do të jetë 700 dollarë, rrogat e mësuesve do të jenë 700 dollarë, pensioni minimal 150 dollarë. Do të dyfishohet pagesa për papunësinë, do të rritet me 50% ndihma ekonomike”- tha Berisha. Kreu i demokratëve premtoi për katër vitet e ardhshme qeverisëse 250 mijë vende të reja pune si dhe trefishim të investimeve në bujqësi. “Ky shesh, ky entuziazëm i flaktë që buron nga zemrat tuaja do shndërrohet 4 vitet që vijnë në qindra e mijëra vende pune, në 250 mijë vende të reja pune për Elbasanin dhe mbarë Shqipërisë. Asgjë s’mund të pengojë zhvillimin. Kaskada e Devollit filloi, 80 HEC-e të tjera të tjera janë për tu ndërtuar në këtë vend. Këto ditë merret vendimi i të gjitha vendimeve, gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) kalon nëpër Shqipëri. Bizneset me uljen e taksave do të dyfishohen. Fermerët e Cërrikut, Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë do kenë 3-fishimin e granteve, sistemimin e vaditjes, do paguhet me para në dorë TVSH e inputeve, e naftës dhe çdo gjëje tjetër. Ne do shndërrojmë fitoren tonë në vende pune, sepse ne do të zhvillojmë turizmin. Vende pune pa dallim bindje, sepse të rinjtë dhe të rejat do ta shndërrojnë Shqipërinë dhe Elbasanin në vend lider të teknologjisë së informacionit”- theksoi Berisha. Kryeministri iu referua dhe alternativës së PS që po paraqitet para shqiptarëve. Sipas kryeministrit, ajo është alternativa e pesimizmit, nihilizmit dhe mashtrimit. Kryeministri ftoi të gjithë qytetarët e qarkut të Elbasanit të refuzojnë Edi Ramën, ai i cili, nga po i njëjti shesh përbuzi dhe lëshoi vrer ndaj tunelit të Krrabës dhe autostradës Elbasan – Tiranë. “Fitorja jonë është ngadhnjimi i shpresës mbi pesimizmin që ndjell autobusi mavi. Ne do të krijojmë qindra e mijëra vende pune, sepse ne brenda vitit do të marrim statusin e vendit kandidat dhe do hapim më pas negociatat me BE-në. Qindra milionë euro do vijnë në Shqipëri. Thirrja ime më miqësore për të gjithë qytetarët e Elbasani, socialistë, demokratë dhe të paparti, pyeteni pak shokun e autobusin, si ka mundësi të vijë këtu dhe të vjellë vrerë, kundër shndërrimit në të vërtetë, të ëndrrës së çdo qytetari të Elbasanit, pavarësisht nga përkatësia e tij. Zoti Rama, në Kurbanin tënd të dytë tunelin mund ta quash si të duash, tuneli i lotëve, tuneli i pikëllimit, por çdo qytetar kudo që është, atë tunel e quan tunel të bekuar, të zhvillimit, të të ardhmes. Ajo është vepër e pavdekshme”- tha ai. Nga Elbasani, kryeministri Berisha i bëri sërish thirrje kreut të PS, të bëjë publike burimin e parave të ndërtimit të vilës 57 m të gjatë. “Zotëri, kjo nuk fshihet në autobus, nuk fshihet në autobus paraja e pallatit. Jemi politikanë dhe jemi të detyruar tu tregojmë qytetarëve çdo burim të çdo qindarke e pasurie që ne vendosim. Çdo socialist, çdo kundërshtar i imi është i ftuar të verifikojë pasurinë time, të deklaruar qindarkë në qindarkë në institucionin përkatës. 125 m2 është apartamenti i familjes time, sepse kaq ka qenë mundësia ime. Kam patur rrogë presidenti, rrogë kryeministri, por s’kam mundur të blej një apartament 200-300 m2 apo të ndërtoj një vilë, siç e kanë shokët e mi që nuk merren me politikë”. Gjithashtu, Berisha tha se Edi Rama po përballet edhe me probleme të tjera, siç janë ato me drejtësinë amerikane. “Së dyti, një personalitet i kongresit të SHBA-ve, kryetar i komisionit për Europën dhe Azinë, Dana Rohrabacher i ka shkruar një letër ku iu kërkon prokurorit të SHBA të të hetojë ty për larje parash, për problemin e 80 mijë dollarëve. Kjo përbën urgjencë për ty. Thuaju shqiptarëve cili është burimi i parave, sepse kongresmeni amerikan thotë se kjo është thyerje e rëndë e ligjit amerikan, e ligjit shqiptar dhe ka dyshime të mëdha për larje parash nga ana jote”- deklaroi Berisha.
Arben Imami: Rama i pashpresë, PD do shënojë fitore të madhe/Kryesuesi i listës së kandidatëve të PD, në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami u shpreh mbrëmë në mbylljen e fushatës elektorale se Partia Demokratike po shkon drejt fitores së madhe të 23 qershorit. Imami tha se, PD kërkon votën për një mandat të tretë qeverisës për programin e saj të zhvillimit, punësimit, integrimit mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. “Edhe pak ditë na ndajnë nga dita e fitores së madhe. Ne kemi dy zgjedhje përpara; alternativën e punësimit, mirëqenies dhe zhvillimit, të ndërtimit të rrugëve dhe tuneleve, si kjo e mrekullueshmja e Elbasanit, si dhe modelin e errët, nihilist dhe mashtrues të Edi Ramës. Pak ditë më parë nga ky shesh, Rama shfryu të gjithë urrejtjen kundër tunelit, sepse tashmë janë aq të pashpresë sa thonë se tuneli do të mbyllet... Por, ne iu përgjigjemi “jo dhe jo”, tuneli do të jetë i hapur për jetë të jetëve. Ai është i tmerruar nga tuneli. Problemi është se, kjo forcë e jona, është e zotuar për të çarë malet, për të ndërtuar Elbasanin, për të bërë ëndrrën realitet, sepse modeli i zhvillimit është modeli i qytetarit. Ne ndërtuam vetëm në qarkun e Elbasanit mbi 800 km rrugë, sepse rruga është zhvillim dhe ne do të vazhdojmë në përpjekjen tonë për modernizimin e infrastrukturës rrugore në çdo fshat. Ne patjetër që do të bëjmë infrastrukturën moderne dhe më europiane në rajon” - u shpreh z.Imami.