Zhiti - ish të përndjekurve: “Më 23 qershor do të vazhdojë ëndrra jonë, nuk do të ketë rilindje të Bllokut dhe vrasësve”
Kryebashkiaku Lulzim Basha dhe ministri i Kulturës Visar Zhiti zhvilluan një takim me përfaqësues të ish - të përndjekurve politikë. Zoti Zhiti i cili vjen nga kjo shtresë, është shprehur krenar se me PD ia arritën të bëjnë realitet ëndrrat për të cilat u internuan, burgosën dhe vranë. Ai ka shprehur bindjen se kjo shtresë dhe gjithë shqiptarët do të vazhdojnë përpara dhe nuk do të kthehen në kohën e bllokut, vrasjeve dhe persekutimeve.
“Së bashku përmbysëm diktaturën, bëmë më të madhen, arritëm ëndrrën tonë, ëndrrën e atyre që mungojnë, ëndrrën e së ardhmes. Ajo është rilindje për ata që s’do të vijë kurrë, që nuk do të kthehet Blloku, që nuk do të kthehen më vrasësit por do të vazhdojë ëndrra e të gjithë neve”
Kryebashkiaku Basha, duke u përulur me nderim të thellë para kontributit të kësaj shtrese, deklaroi se gjithçka që qeveria, shoqëria mund të bëjë për ta, është e pamjaftueshme, për të shprehur vlerësim për rolin dhe qëndresën e tyre deri në flijim. Qëndresa sublime e kësaj shtrese, PD dhe kryeministri Sali Berisha bëri të mundur realizimin e ëndrrave të shqiptarëve, zhvillimin e vendit, anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave dhe së shpejti marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Nuk ka, nuk do të kishte dhe nuk mund të ketë PD, pa ju, historinë dhe kontributin tuaj. Në keto 23 vite, më shpejt se çdo komb tjetër që iu nënshtrua diktaturës së egër komuniste, Shqipëria lëvizi për ta lënë pas atë trashëgimi. Në çdo etapë të suksesshme të kësaj rruge, në themel të saj qëndroi aksioni politik i PD, i kryeministrit Berisha dhe i juaji, si bërthama dhe shtresa qendrore e kësaj force politike”.