Berisha, Ramës: “Tregoju shqiptarëve pse kongresmeni amerikan kërkon hetim ndaj teje”

Korça dhe Devolli votëbesojnë alternativën që mbron prodhimin e fermerëve vendas
“Në një kohë kur ne rrisim rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike, shoku i autobusit mavi (Edi Rama) nuk mendon për qytetarët, por mendon për pasurimin e kupolës së tij. Zoti Rama, njeriu më i fuqishëm në Kongresin e SHBA-së, kryetari i komisionit të jashtëm për Evropën dhe Azinë, ka kërkuar zyrtarisht një hetim për larje parash për 80 mijë dollarë. Jepu shpjegim shqiptarëve se kjo është e vërtetë si drita e diellit. Shpjegohu se me drejtësinë amerikane nuk bëhet shaka, e kërkon dinjiteti i qytetarëve shqiptarë të dijë të vërtetën se pse kongresmeni kërkon hetim”
Partia Demokratike përmbylli dje pasdite në Korçë dhe Devoll, fushatën elektorale. Kryeministri Sali Berisha u zotua gjatë fjalimit të tij në dy tubimet madhështore në juglindjen e vendit se, PD do t’i fitojë zgjedhjet për të mundësuar më shumë vende pune, rroga e pensione më të larta. “Mirëqenia më e madhe për shqiptarët do të bazohet para së gjithash te punësimi masiv i tyre”- u shpreh Berisha. Ai renditi masat që do të ndërmarrë qeveria në të gjithë sektorët të cilat do të ndikojnë në nxitjen e punësimit për shqiptarët. “Me uljen e taksave do të dyfishohen bizneset dhe kjo do të krijojë vende pune. Me investimet në objekte të mëdha si Kaskada e Devollit, gazsjellësi TAP dhe projektet e tjera gjigante, do të nxitet punësimi. Trefishimi i granteve për fermerët e Korçës dhe pagesa me para në dorë për akcizën e naftës do të jenë të tjera masa që do të nxisin punësimin në sektorin e bujqësisë. Punësim do të krijohet edhe me dyfishimin e turizmit”, tha Berisha. “Fitorja e 23 Qershorit do të jetë fitorja e përpjekjes sonë për mirëqenie më të madhe”- theksoi ai. Kreu i qeverisë premtoi rritje të ndjeshme të rrogave në mandatin e ardhshëm, ndërsa shtoi se rrogat e mësuesve dhe rrogat mesatare nuk do të jenë nën 700 dollarë, rrogat minimale nuk do të jenë nën 350 dollarë, pensionet minimale do të rriten në 150 dollarë, do të dyfishohet pagesa e papunësisë, do të rritet me 50 për qind ndihma ekonomike, ndërsa rrogat e sektorit privat do të rriten së paku me 75 për qind. Shefi i mazhorancës theksoi se “vota e fitores në 23 Qershor, do të jetë votë për zhvillimin e dijes, shkencës dhe progresit”. Berisha garantoi se universiteti i Korçës dhe shkollat e saj do të kenë nivelet më të larta arsimore, ashtu sikurse shërbimi shëndetësor do të arrijë cilësinë më të lartë”. “Nga Korça dua t’ju drejtoj një thirrje miqësore dhe njerëzore ndaj socialistëve dhe qytetarëve pa parti. Le të pyesin njëherë veten si ka mundësi që kryetari i PS-së i mbyllur në autobuzin mavi, vjen këtu në këto sheshe dhe shqipton dhjetë herë nga fillimi në fund fjalën rrënim dhe asnjëherë rrogë, pension, ndihmë ekonomike etj”, tha Berisha. Ai shtoi se “në një kohë kur ne rrisim rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike, shoku i autobusit mavi (Edi Rama) nuk mendon për qytetarët, por mendon për pasurimin e kupolës së tij”. “Si ka mundësi që ky zotëri gjatë tre muajve nuk shqipton një herë të vetme fjalën integrim evropian. Nuk e dëgjuat ndonjëherë t’ju thotë se do t’ju udhëheq drejt Evropës, përkundrazi ju thotë se BE nuk është as bukë as ujë”, tha kryeministri. Ai theksoi se Korça është djepi i përpjekjes së madhe shqiptare për vokacion perëndimor, por Edi Rama harron çdo gjë përveç përpjekjes për të shkelmuar këtë vokacion. Kryeministri u bëri thirrje gjithë socialistëve që ruajnë të paprekur shpirtin e tyre perëndimor, që “të bashkohen me ne për të ecur drejt Europës, të marrim statusin e kandidatit dhe të hapim negociatat për anëtarësim”. Duke iu drejtuar të rinjve korçarë, Berisha theksoi se Edi Rama nuk ka ofruar asnjë gjë për ta përveç deklaratave se do të mbyllë dyert e universiteteve dhe do të kthehet tek e shkuara. Në përfundim, kryeministri i bëri thirrje nga Korça, kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama që të bëjë transparencën e pasurisë së tij si dhe të japë shpjegime se përse kryetari i komisionit të jashtëm për Evropën dhe Azinë në Kongresin Amerikan ka kërkuar zyrtarisht nisjen e një hetimi për të, për larje parash për një shumë prej 80 mijë dollarësh. “Dy gjëra i kërkoj jo si kryeministër, por si qytetar i thjeshtë. Zoti Rama, njeriu më i fuqishëm në Kongresin e SHBA-së, kryetari i komisionit të jashtëm për Evropën dhe Azinë, ka kërkuar zyrtarisht një hetim për larje parash për 80 mijë dollarë. Jepu shpjegim shqiptarëve se kjo është e vërtetë si drita e diellit. Shpjegohu se me drejtësinë amerikane nuk bëhet shaka, e kërkon dinjiteti i qytetarëve shqiptarë të dijë të vërtetën se pse kongresmeni kërkon hetim”- tha Berisha. Ai gjithashtu kërkoi shpjegime se me çfarë po e ndërton Edi Rama vilën që kushton 600 mijë euro dhe pallatin 5 katësh, kur nuk ka deklaruar asnjë të ardhur. Berisha theksoi se “deklarimi i të ardhurave nuk është çështje personale, por është një detyrim që Edi Rama duhet ta bëjë publike”. “Sali Berisha ka 20 vite rrogëtar në politikë, me të gjitha kursimet e tij ka arritur që një apartament 83 metër katror ta zëvendësojë me një 125 metër katror dhe kjo më mjafton, por edhe po të mos mjaftonte kaq ishin paratë e mia. Ti po ndërton një vilë 57 metra të gjatë, një pallat tjetër ke në pajë, s’ke deklaruar asnjë gjë nga vijnë paratë që ndërton vilën 600 mijë euro? Je i detyruar të tregosh të ardhurat para shqiptarëve”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Bilisht – Miras, investim me vlerë 576 milionë lekë