100 vite marrëdhënie diplomatike, Biden: Do ju mbështesim në rrugën tuaj drejt BE! Kim: Krenar për miqësinë tonë

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA është zhvilluar një aktivitet ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, presidenti Bajram Begaj, anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe disa pjesëtar të opozitës mes të cilëve edhe Lulzim Basha, por asnjë nga deputetët që mbështesin Sali Berishën. Të pranishëm ishin edhe ish presidentë të vendit, mes të cilëve Bamir Topi dhe Ilir Meta.
Gjatë fjalës së saj ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim vlerësoi miqësinë e ngushtë dhe partneritetin e palëkundur në një shekull marrëdhënie, ndërsa tha se SHBA është krenare që ka mbështetur Shqipërinë në të gjitha etapat e rëndësishme që shteti ka kaluar.
“Një shekull më parë SHBA njohu Shqipërinë si shtet të pavarur. Më 28 korrik 1922 SHBA dhe Shqipëria ndezën një pishtar të shenjtë që është përcjellë ndër breza. Ai pishtar u ruajt edhe gjatë ditëve më të errëta të komunizmit, ishte një pishtar që u fsheh por nuk u lejua kurrë që të shuhet. Ai pishtar ngrohu miqësinë dhe krijoi shtegun e përbashkët si miq dhe aleatë të vërtetë. Falenderojmë amerikanët dhe shqiptarë që punuan për marrëdhënie e ngushta mes nesh ndër vite. SHBA kurrë nuk është lëkundur nga besimi i një Shqipërie të pavarur dhe sovrane. Ishim krenar që ju mbështetëm kur dolën nga diktatura, krenar që u anëtarësuat në NATO, kur udhëhoqët OSBE dhe krenar që sot keni hapur negociatat për të marrë vendin tuaj që meritoni. SHBA nuk është lëkundur kurrë nga mbështesja e aspiratave të popullit shqiptar për demokraci dhe drejtësi”, tha Kim.
Ambasadorja Kim ndau dhe dy mesazhe të ardhura nga ish presidenti George W. Bush, i cili ishte presidenti i parë i SHBA që ka vizituar Shqipërinë në 2007 dhe presidenti Joe Biden, të cilët uruan kombin shqiptar për këtë miqësi të bukur mes tyre që ka luftuar edhe ditët më të errëta të komunizmit.
“Dërgoj urimet më të përzemërta për miqësinë jetëgjatë të SHBA-ve, ndërsa festojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Kur SHBA-të mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme e popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe vlerat e demokracisë të cilat nuk u thyen kurrë edhe në dekadat e diktaturës. Në të ardhmen SHBA-të do të vazhdojnë që të qëndrojnë pranë Shqipërisë, ndërsa vendi forcon institucionet demokratike, lufton korrupsionin dhe përmbushni udhëtimin për t’iu bashkuar BE. Uroj që dy kombet të vazhdojnë të ndërtojnë gjithçka kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më shpresëdhënëse për fëmijët tanë”, tha Biden në videomesazhin e tij.
Letra e plotë e George W. Bush
Unë dhe Laura dërgojmë përshëndetjet dhe urimet tona më të ngrohta për mbarë popullin shqiptar teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë. Ky gur kilometrik i veçantë është një dëshmi e miqësisë midis dy vendeve tona të përbashkëta demokratike.Në vitin 2007, isha krenar që u bëra presidenti i parë i SHBA në detyrë që vizitonte Shqipërinë.
Laura dhe unë nuk do ta harrojmë kurrë kohën që kaluam në vendin tuaj të sinqertë dhe përkushtimin tuaj ndaj demokracisë dhe marrëdhënieve të forta me SHBA.Kujtoj gjithashtu pasionin tuaj për zhvillim dhe tolerancë. Jam i lumtur të shoh Shqipërinë dhe SHBA teksa vijojnë të punojnë përkrah si aleatë në NATO dhe në KS të OKB, duke mbrojtur demokracinë paqen dhe të drejtat e njeriut.
Shpirti shqiptar që kurrë nuk reshti së përpjekuri për liri dhe tradita juaj e besës për të shtrirë dorën e ndihmës njerëzve në nevojë, janë vlera të cilat shpresoj që të bëhen shembuj për të tjerët. Shqipëria është një forcë e së mirës në botë dhe SHBA janë krenarë që ju kemi mike dhe aleate.Gëzuar 100 vjetorin e miqësisë sonë jetëgjatë. Uroj dhe shumë vite të tjerë të shkëlqyer dhe premtues në vazhdim.
Zoti ju bekoftë.
George W. Bush
/rtsh.al/