Ndryshimet në kabinetin qeveritar, Kuvendi zhvillon sot seancë të jashtëzakonshme

Ndryshimet e bëra në qeveri pak ditë më parë do të miratohen sot nga Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme. Seanca do të mbahet sot në orën 17.00, ku do të miratohet shkarkimi i Arben Ahmetaj si zv.kryeministër dhe emërimi në vend të tij i ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.
Gjithashtu do të miratohet edhe emërimi si ministre Shteti dhe Kryenegociatore e Shqipërisë me BE, Majlinda Dhuka.
Një ditë më parë ndryshimet në qeveri u dekretuan edhe nga Presidenti Bajram Begaj.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv.kryeministër dhe në vend të tij do të emërohet Belinda Balluku. Sipas Ramës ky zëvendësim ndodh pasi fokusi i qeverisë nuk do të jetë më rindërtimi që është drejt përfundimit, por sfida energjetike dhe infrastruktura.
Rama largoi nga posti edhe kryenegociatorin me BE-në, Zef Mazi duke e zëvendësuar me Majlinda Dhukën.
/rtsh.al/