E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Politikani i lartë me inicialet I.M bashkëpunëtor i sigurimit, reagon zëdhënësi i ish- presidentit, Ilir Meta

Pasi Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri të ditur se, gjatë verifikimit të dokumenteve të bashkëpunëtorëve të sigurimit, ka zbuluar se një politikan i lartë shqiptar me inicialet I. M, ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit, ka reaguar Tedi Blushi, zëdhënësi i ish- presidentit, Ilir Meta.

Sipas tij, Autoriteti i Dosjeve i kërkoi Kuvendit të ndryshojë ligjin, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë. “Kuvendi ka çështje më të rëndësishme për të trajtuar si afera e inceneratorëve apo Marrëveshja e Detit me Greqinë”, deklaron Blushi, duke i bërë thirrje Autoritetit të Dosjeve që “dosjet t’i hapë që sot” dhe të bëjë publik çdo informacion që mund të zbulohet me hapjen e tyre.

“Ha Ha Ha. Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë. Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët). Latë nam me patronazhistët e sotëm, ju që paskeni merakun e “patronazhistëve” të komunizmit. I bëjmë thirrje Autoritetit të Dosjeve të hapë që sot dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të Sigurimit të Shtetit, dhe gjithshka tjetër, përfshirë edhe proces-verbalet e organizatës së rinisë së asaj kohe. Jetojmë në kohën e “pavarësisë” së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet”,- shkruan Blushi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›