100 vitet e problemit çam
Në këta 100 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar, problemi çam ka pësuar aq shumë luhatje e zhvendosje, saqë sot bëhet i nevojshëm një ridefinim i tij. A është çështja çame problem i një komuniteti, apo është ajo një problem kombëtar. E varësisht: a është kjo një çështje politike, apo një çështje e thjeshtë tekniko-juridike. Sot, një debat si ky, për çështjen çame, bëhet akoma më shumë i domosdoshëm, pasi çështja çame e bashkë me të çështje të tjera të mprehta të marrëdhënieve me Greqinë fqinje, duket se nuk janë fare në axhendën politike të shtetit shqiptar. Në fakt, nëse në periudhën midis dy luftërave, çështja çame ishte për politikën shqiptare çështje e një popullsie, së cilës i mohoheshin të drejtat kombëtare e civile, nëse pas Luftës së Dytë Botërore ajo u kthye në çështjen e një popullsie të dëbuar me dhunë nga trojet e veta, sot gjithnjë e më shumë çështja çame rrezikon të shndërrohet për politikën zyrtare të Tiranës çështje e një populli të harruar. Sot vihet re një kurbë zbritëse në ligjërimin politik formal, por edhe në praktikën politike të politikanëve e të institucioneve të shtetit shqiptar kundrejt këtij problemi. Shumëkush në mjediset qeverisëse mendon se injorimi i këtij problemi dhe i problemeve të tjera të mprehta që qëndrojnë pezull në marrëdhëniet tona me Greqinë, e bën më të lehtë rrugën drejt integrimit europian të vendit. Mirëpo shembulli i Maqedonisë tregon pikërisht të kundërtën.
Ndryshe ndodh me klasën tonë politike. Sot duken si personazhe prehistorike figura si Rauf Fico, i cili në kohën kur rrezikohej edhe vetë ekzistenca e shtetit të vogël shqiptar të 1913-s, pranonte ta ulte veten e ti binte në gjunjë një ministri të huaj për tiu lutur: Shkëlqesë, na e shpëtoni Çamërinë! Në atë shtet nuk ishte kristalizuar ende shteti shqiptar, por ekzistonte një gjeneratë burrash të kalitur në kudhrën e Rilindjes e të luftërave për pavarësi, që ishin gati të jepnin jetën, pasurinë e të shkelnin edhe mbi nderin personal për interesin kombëtar. Dhe çështja çame konsiderohej një çështje e interesit më të lartë kombëtar. Të tillë e trajtuan atë personalitete të mëdha si Mithat Frashëri, Fan Noli apo Ahmet Zogu. Falë angazhimit të tyre, në një ballafaqim të ashpër me diplomacinë greke deri në tribunën e lartë të Lidhjes së Kombeve, u bë e mundur mbrojtja e çështjes çame, me rezultate konkrete e të rëndësishme.
Pas humbjes fatale të Çamërisë, më 1913-n, një fitore historike ishte shkatërrimi i planeve të Athinës për të shpërngulur popullsinë çame myslimane në kuadrin e Traktatit të Lozanës, 1923. Në atë rast shkëlqeu nervi patriotik e klasi diplomatik i personaliteteve si Mithat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, apo i Benedikt Blinishtit, Konsull i Përgjithshëm në Gjenevë. Falë tyre u shpëtua ajo çka mund të shpëtohej pas aneksimit të dhunshëm të 1913-s: u evitua shpërngulja e çamëve drejt Turqisë, në kuadrin e marrëveshjes turko-greke për shkëmbimin e popullsive.
Në vitet 20-30 nga tribuna e Lidhjes së Kombeve, shteti shqiptar ngriti vazhdimisht problemin e mbrojtjes së të drejtave kombëtare e civile të minoritetit çam në Greqi. Nën trysninë shqiptare, edhe pse Kushtetuta greke nuk e njihte ekzistencën e minoriteteve, Kryeministri Venizellos u detyrua të krijojë një organizëm të veçantë, Komitetin për Minoritetet në varësi të drejtpërdrejtë nga zyra e Kryeministrit, i cili duhej të ndiqte gjendjen e minoriteteve, e në këtë kuadër edhe të minoritetit çam në Greqi. Çështja çame u ndërkombëtarizua falë qëndrimit intrazigjent të qeverisë shqiptare, dhe gjithnjë nën presionin e saj, qeveria greke u detyrua të hapë edhe shkollat e para shqipe në Çamëri. Ky raport force ndryshoi në favor të Greqisë, kur pozita ndërkombëtare e mbretit Zog u dobësua (si rezultat i ftohjes së marrëdhënieve me Italinë). Nën presionin e fortë të Athinës e të qarqeve grekomane në Himarë, në vitin 1937, Zogu u detyrua të cedonte për hapjen e shkollave greke në Himarë, Palasë e Dhërmi. Por edhe në këtë rast, qeveria shqiptare i kërkoi palës greke si këmbim hapjen e 5 shkollave të tjera shqipe në Çamëri, gjë që edhe u bë.
Pas Luftës II Botërore, çështja çame fiton një status të ri më dramatik. Ajo nuk ishte më çështje e një minoriteti të mbetur tej kufirit shqiptaro-grek, që luftonte për të drejtat e tij kombëtare e civile në kuadrin e shtetit grek, por bëhet çështja e një popullsie të tërë të dëbuar me dhunë nga vatrat e veta. Gjatë viteve të luftës, qëndrimi i Shqipërisë ndaj çështjes çame përthyhet në dy variante të ndryshme, që u përgjigjeshin dy grupimeve në luftë për pushtet: grupimi i djathtë, i përfaqësuar nga Balli Kombëtar, dhe grupimi i majtë, i përfaqësuar nga Fronti Nacional Çlirimtar e Partia Komuniste. Grupimi i djathtë, që e deklaronte hapur vizionin e tij për një Shqipëri etnike, e komprometoi veten në raport me aleatët e mëdhenj, kur miratoi bashkimin e trojeve shqiptare nga ana e pushtuesit nazifashist, gjë që në rast të fitimit të luftës nga aleatët, do ta vështirësonte padyshim pozitën e Shqipërisë në tratativat e paqes.
Nga ana tjetër, kur u pa qartë se gjermanët do ta humbnin luftën, dhe bashkë me ta edhe bashkëpunëtorët e tyre vendas, Balli Kombëtar i hyri një aventure tjetër të rrezikshme, duke filluar negociatat me homologët e vet, të djathtën greke të Napoleon Zervas, lidhur me krijimin pas luftës të një shteti dualist greko-shqiptar, një konfederate, ku Greqia do të kontrollonte funksionet kryesore duke filluar nga ushtria.Të dyja zgjidhjet e parashikuara nga Balli Kombëtar ishin jo realiste dhe do të rezultonin, po të realizoheshin, në dëm të Shqipërisë e të vetë çështjes çame.
Fronti Nacionalçlirimtar dhe Partia Komuniste u gjendën më afër një zgjidhje realiste e në përputhje me koniunkturat botërore. Ata nuk e njohën Shqipërinë e madhe të krijuar nën armët e fuqive pushtuese, duke konsideruar atë një krijesë alogjene, që do mund të qëndronte për aq kohë sa do të zgjaste edhe lufta, jo më shumë, dhe kjo ishte evidente. Nga ana tjetër, zgjidhja e problemit çam, që tashmë ishte problemi i rikthimit në trojet e veta të një popullsie të tërë të dëbuar me dhunë nga falangat e Zervës në vitin 1944-45, paraqiste shanse më të mëdha në kushtet e një fitoreje të së majtës greke. Kjo kishte dhënë prova të një qëndrimi më realist ndaj popullsisë çame, ndërkohë që Zerva dhe e djathta greke e kishin bërë të qartë opsionin e tyre të vetëm, atë të zgjidhjes përfundimtare të problemit çam, nëpërmjet një operacioni të pastër të spastrimit etnik. Gjithsesi, PK nuk kishte një opsion për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë pas luftës, siç e pati p.sh. në Kosovë në rast të një konsensusi të Titos.
Ishte e qartë që në Greqinë e pasluftës do të luanin një rol vendimtar SHBA dhe në veçanti Britania e Madhe, e cila jo më kot kishte investuar shumë në planin ushtarak, financiar e politik. Dihet mirë që Churchill u kthye në një sponsor të vendosur të planeve të së djathtës greke për aneksimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir, dhe jo më kot deklarata e qeverisë britanike për Shqipërinë në vitin 1942 e linte të hapur çështjen e kufijve jugorë të Shqipërisë. Sigurisht, këto pozicione njiheshin nga komunistët shqiptarë, ashtu siç njiheshin edhe nga nacionalistët. Pra, për komunistët shqiptarë, çështja çame në fund të luftës identifikohej me aspektin më emergjent të saj, atë të rikthimit të rrethanave të paraluftës, pra të rivendosjes së popullsisë çame të dëbuar në vatrat e veta.
Kishte shumë më tepër shans që kthimi i çamëve të realizohej në kushtet e fitores së frontit të majtë në Greqi, se sa të frontit të djathtë të Zervës, që ishte pikërisht ideatori e zba
