15 deputetë mbështesin Aleancën Kuq e Zi
Nënkryetari i Këshillit të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, pohoi të dielën se 15 deputetë mbështesin nismën qytetare për të penguar me ligj deklarimin e etnisë dhe fesë, i përfshirë në formularin e regjistrimit të popullsisë, që nis në muajin tetor.
Ky pohim vjen pak ditë pas depozitimit në parlament të amendimeve në ligjin për regjistrimin e popullsisë, ndërkohë që zoti Spahiu thekson se po synohet gjetja e konsensusit nga të dy krahët e politikës. Sipas tij disa përpjekje për bllokimin e nismës nuk do të funksionojnë.
Ndihet dukshëm që ka përpjekje të forta lobiste brenda kuvendit për të siguruar votat qoftë të PD-së, qoftë të PS-së për të siguruar një konsensus për ndryshimin e këtij ligji. Nga ana tjetër, është një numër më i madh se 15 deputetë të cilët kanë qenë pjesë, qoftë nga opozita, qoftë nga maxhoranca, madje, disa prej tyre edhe kanë nënshkruar, tha zoti Spahiu.
Për herë të parë, parlamenti vendoset përballë një nisme të qytetarëve dhe sipas zotit Spahiu, nëse ajo nuk merret në konsideratë, vetëdeklarimi i etnisë dhe fesë do të shkaktojë konflikte sociale.
Imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse ne fusim komunitetet fetare dhe minoritetet në një garë që do ishte burim konflikti dhe kontestimi i rezultateve dhe shifrave në fund, theksoi ai.