100 vjet nga krijimi i Forcave të Armatosura
U organizua parada ushtarake dhe inaugurimi i Muzeut Historik të Ushtrisë
Në ditën e 100-vjetorit të krijimit të FA Shqiptare Ministria e Mbrojtjes ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme. Kështu në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvilluan me rradhë, konferenca shkencore, parada ushtarake, inaugurimi i Muzeut Historik të Ushtrisë, për tu pasuar me një tjetër aktivitet pasditen e sotme, konkretisht me koncertin me rastin e 100-vjetorit të FA.
Të pranishëm në ceremoninë dedikuar pikërisht 100 vjetorit të krijimit të këtyre forcave ishin personalitete të lartë.
Për Presidentin Nishani ky moment është një gur i rëndësishëm kilometrik në vendin tonë.
“Si pjesë e festimeve në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë kjo është një ditë për të reflektuar për arritjet që janë bërë dhe të hedhin vështrimin për rrugët që kemi përpara. Shqipëria duhet të krijojë ushtrinë e vogël më të mirë në NATO. Kërkohet më shumë punë organizative dhe intelektuale për të arritur pritshmëritë tona me aleatët e NATO”, vuri në dukje kreu i shtetit, i cili vlerësoi rolin historik që kanë dhënë Forcat e Armatosura në mbrojtje të sovranitetit të vendit.
Ndërkohë që në vlerësimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami Forcat e Armatosura kanë pësuar një transformim rrënjësor, të denjë për një vend të NATO.
“Mirënjohje qeverive të vendit mik SHBA dhe partnerëve që kontribuuan për modernizimin e FA. Ne arritëm të transformojmë rrënjësisht FA, ndërtuam ushtri euroatlantike, qindra mijëra tonë materiale të rrezikshme i asgjësuam, e sot kemi ushtri të pastër dhe një Shqipëri më të sigurtë”, u shpreh ministri Imami, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni.
Ndërkohë që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi mori titullin "Nderi i Kombit” nga Presidenti, Bujar Nishani.
Gjeneral Gjunkshi vlerësoi arritjet që Forcat e Armatosura kanë bërë gjatë këtyre viteve.
“Sot mbushin 100 vjet, histori me vështirësi e sfida, por është historia jonë. Kujtojmë sot gjithë historinë e luftës për mbijetesë, zhvillim e prosperitet, kujtojnë kontributet e bëra në historinë, atë që e themeluan këtë forcë”, deklaroi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.